Studimi: Acidi bempedoik përmirëson shëndetin e zemrës tek pacientët që nuk mund t’i tolerojnë statinat

Acidi bempedoik mund të jetë një alternativë për njerëzit që kanë nevojë ta ulin kolesterolin, por nuk mund ose nuk duan të marrin statina, sipas një studimi të madh të botuar të shtunën në New England Journal of Medicine.

Statinat janë barnat më të zakonshme për uljen e kolesterolit që ndihmojnë në uljen e asaj që njihet si kolesteroli “i keq” (LDL) në gjak. Më shumë se 90 për qind e të rriturve që marrin ilaçe për uljen e kolesterolit përdorin statina, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, raporton CNN.

Statinat konsiderohen të sigurta dhe efektive, por ka miliona njerëz që nuk mund ose nuk duan t’i marrin ato. Në disa njerëz, ajo shkakton dhimbje të forta të muskujve.

Studimet e mëparshme kanë treguar se midis 7 dhe 29 për qind e pacientëve që kanë nevojë ta ulin kolesterolin nuk mund t’i tolerojnë statinat, sipas Steven Nissen, MD, kardiolog dhe studiues në Klinikën Cleveland dhe bashkëautor i studimit të ri.

Unë shoh pacientë të zemrës që vijnë me histori të tmerrshme mjekësore, sulme të shumta në zemër, ndonjëherë kirurgji bajpas, shumë stente dhe thonë, ‘Doktor, i kam provuar disa statina, por sa herë që marr një statinë, muskujt më lëndohen ose ndjehen të dobët. Nuk mund të ngjitem nëpër shkallë. Thjesht nuk mund t’i toleroj këto barna”. Ne kemi nevojë për alternativa për këta pacientë, thotë Nissen.

Mjekët kanë disa opsione, duke e përfshirë ezetimibin dhe frenuesit PCSK9. Acidi bempedoik, i shitur me emrin Nexletol, është krijuar posaçërisht për t’i trajtuar pacientët që nuk mund t’i tolerojnë statinat.

Efektet e drogës në shëndetin e zemrës nuk ishin vlerësuar plotësisht deri në këtë provë të madhe. Studimi i ri u financua pjesërisht nga Esperion Therapeutics, prodhuesi i Nexletol.

Në studimin, i cili u prezantua të shtunën në takimin vjetor shkencor të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë dhe Kongresit Botëror të Kardiologjisë, Nissen dhe kolegët i kanë përfshirë 13,970 pacientë nga 32 vende.

Në të gjithë pacientët kishte intolerancë ndaj statinave, zakonisht për shkak të efekteve anësore në sistemin muskuloskeletor.

Pacientët u ndanë rastësisht në dy grupe, njëri prej të cilëve mori acid bempedoik dhe tjetri një placebo – një substancë pa efekt.

Shkencëtarët i përcollën këta pacientë për gati pesë vjet dhe zbuluan se acidi bempedoik tolerohej mirë dhe se ulja e përqindjes së kolesterolit “të keq” ishte më e madhe me acidin bempedoik sesa me placebo me 21.7 për qind.

Rreziku i ngjarjeve kardiovaskulare – duke përfshirë vdekjen, sulmin në tru ose sulmin në zemër – ishte 13 për qind më i ulët me acidin bempedoik sesa me placebo.

Kishte pak më shumë raste të cermës dhe gurëve të tëmthit në grupin e acidit bempedoik në krahasim me njerëzit që merrnin placebo.

Acidi bempedoik nuk kishte asnjë efekt të vëzhguar në vdekshmëri, por kjo mund të jetë për shkak se periudha e vëzhgimit ishte shumë e shkurtër për të treguar nëse kishte një efekt të tillë.

Provat e mëparshme mbi statinat treguan të njëjtën gjë dhe vetëm pas më shumë studimeve mbi statinat shkencëtarët ishin në gjendje të tregonin një efekt mbi vdekshmërinë.

Statinat janë standardi i arit. Ata janë guri i themelit. Qëllimi i këtij studimi nuk ishte t’i zëvendësonte statinat, por të ofronte një terapi alternative për njerëzit që thjesht nuk mund t’i marrin ato, thotë Nissen./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala