Spitali i Vushtrrisë

Spitali i Vushtrrisë, 8 pacientë me coronavirus në oksigjeno-terapi

Në Spitalin Rajonal të Vushtrrisë 11 pacientë janë duke u trajtuar për COVID-19, tetë prej të cilëve po trajtohen me oksigjeno-terapi.

“I kemi 11 pacientë të shtrirë, tetë prej tyre janë me oksigieno- terapi. Gjendja e tyre është stabile”, ka thënë për KALLXO.com drejtori i Spitalit, Hajrullah Saraqi.

Sa i përket oksigjenit drejtori tha se kanë mjaftueshëm.

Në anën tjetër Spitali është duke funksionuar pa anjë infektolog.

“90 deri 95% i trajtojme këtu  deri në nivelin sa pacienti është për intubacion. Në momentin që pacienti është për intubacion dhe i rrezikohet jeta atëherë e bëjmë transferin në Prishtinë, tjerët i trajtojmë në nivelin sekondar”, tha tutje drejtori.

Tutje ai tha për KALLXO.com se Spitali ka 28 shtretër të destinuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“28 shtretër i kemi të destinuar për pacientët me COVID-19, maksimumi kanë qenë 19 pacientë që i kemi pasë deri më tani”, tregoi ai.

Kujtojmë se sot në qytetin e Vushtrrisë janë regjistruar 13 raste të reja me coronavirus, përderisa në nivel vendi sot u shënuan 539 raste me SARS-CoV-2.

Brenda 24 orëve 13 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me coronavirus. Deri më tani në Kosovë 1,016 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19.