Specializantët protestojnë para MSh-së, kërkojnë marrjen e rregullt të pagave

Para Ministrisë së Shëndetësisë sot kanë protestuar disa specializantë nga Qendra e Mjekësisë së Punës në Gjakovë, për mos trajtim të barabartë për pagesën e specializantëve.

“Ne jemi 15 specializantë të cilët i kemi nënshkruar të njëjtat kontrata me të njëjtin financim dhe nga 15 prej neve, vetëm dy marrin pagë të rregullt, ndërsa 13 jemi të diskriminuar. Ata dy që i marrin pagat, njëri prej tyre është djali i zëvendësministrit të shëndetësisë”, thotë protestuesi Arianit Zajmi.

I shqetësuar për neglizhencën nga institucionet kompetente, Zajmi, thotë se Ministria e Shëndetësisë i ka lënë në pritje tash e katër muaj.

“Ne krejt çka po kërkojmë është të trajtohemi të barabartë me të tjerët. Prej muajit nëntor, kur i kemi nënshkruar kontratat, shumica nga ne vetëm endemi dhe mund të them që nga titulli mjek specializant e kemi fituar titullin mjekë shëtitës, për shkak se ne shëtisim nga njëri institut te tjetri e asnjëri nuk e merr përgjegjësinë me tregu pse jemi ne sot pa pagesë. Drejtori i ShSKUK-së na ka thënë se financimi jonë është i jashtëligjshëm, kryetari i bordit nuk jep kurrfarë zgjidhje, ministri na ka lënë me prit për katër muaj”, shtoi tutje ai.

Zajmi tha se barrën për financim tani po e bartin familjarët e tyre, pasi në të gjitha takimet që specializantët i kanë bërë më organet kompetente në vend fajin e kanë hedhur te njëri-tjetri.

Këta mjekë, kanë paralajmëtar vijimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.