Skleroza e shumëfishtë: dëshmi e re për rolin e virusit të etheve të gjëndrave

Rreth 2.8 milionë njerëz në mbarë botën kanë sklerozë të shumëfishtë (MS), një sëmundje autoimune në të cilën sistemi imunitar e dëmton trurin dhe palcën kurrizore.

Simptomat përfshijnë lodhjen, shqetësimin e të shikuarit, problemet me lëvizshmërinë dhe ekuilibrin dhe mosfunksionimin njohës/kognitiv. Shumë njerëz që zhvillojnë Sklerozë të Shumëfishtë përjetojnë simptoma të ndjekura nga një periudhë rikuperimi, por me kalimin e kohës sëmundja mund të përparojë në paaftësi të përhershme.

Shkaqet e sakta të Sklerozës së Shumëfishtë nuk dihen. Mirëpo, për dekada të tëra shkencëtarët kanë sugjeruar një lidhje midis MS dhe virusit Epstein-Barr (EBV). Ky është një infeksion i cili, kur kontraktohet në fëmijëri, në përgjithësi nuk shkakton simptoma. Megjithatë, infeksioni në adoleshencë mund të çojë në ethe të gjëndrave, të quajtur edhe “sëmundja e puthjes” ose mononukleoza infektive (“mono”).

Një studim i vitit 2022 ka konfirmuar se njerëzit me Sklerozë të Shumëfishtë kanë qenë pothuajse gjithmonë të infektuar me EBV më parë (përgjithësisht infeksioni ndodh disa vite përpara shfaqjes së Sklerozës së Shumëfishtë).

Megjithatë, studiuesit janë ende duke debatuar saktësisht se si ky virus i zakonshëm mund të shkaktojë Sklerozë të Shumëfishtë në njerëz të caktuar. Hulumtimi ynë i ri ofron disa të dhëna.

Pak histori

Kur trupi i njeriut ndeshet me një infeksion, ai gjeneron një përgjigje imune në mënyrë që herën tjetër kur trupi ekspozohet do të ketë tashmë një mbrojtje nga sëmundja. 

Normalisht, te njerëzit e shëndetshëm, qelizat imune të quajtura qeliza T dhe qelizat B krijohen kundër një objektivi të vetëm, siç është një pjesë e një virusi ose bakteri, dhe detyra e tyre është ta luftojnë infeksionin. Qelizat B prodhojnë antitrupa të cilët lidhen dhe shkatërrojnë viruset ose bakteret pushtuese.

Sëmundjet autoimune – një prej të cilave është Sklerozë të Shumëfishtë – ndodhin kur sistemi imunitar i trupit e dëmton veten gabimisht. Kjo mund të shkaktohet nga një fenomen i quajtur mimika molekulare, e cila në përgjithësi ndodh kur qelizat imune, të krijuara fillimisht për ta luftuar infeksionin, i sulmojnë proteinat në trupin e një forme të ngjashme.

Kjo shkakton një sërë simptomash dhe sëmundjesh në varësi të cilës pjesë të trupit synon sistemi imunitar. Në Sklerozë të Shumëfishtë, për shkak se truri dhe palca kurrizore janë të prekura, gjendja çon në një sërë simptomash neurologjike.

Imuniteti i kequdhëzuar

Për ta kuptuar më hollësisht se si zhvillohet ky proces te pacientët me Sklerozë të Shumëfishtë, kemi studiuar mostrat e gjakut nga më shumë se 700 njerëz me Sklerozë të Shumëfishtë dhe një numër të ngjashëm pa sëmundje (një grup kontrolli).

Kemi zbuluar se antitrupat që lidhen me një proteinë nga EBV, e quajtur EBNA1, janë rritur në pacientët me Sklerozë të Shumëfishtë. Kjo nuk ishte befasuese – hulumtimet e mëparshme kanë treguar se antitrupat kundër EBNA1 janë më të larta tek njerëzit me Sklerozë të Shumëfishtë.

Mirëpo roli i tyre në sëmundje ka mbetur diçka si pikëpyetje. Studimi ynë ka zbuluar se këto antitrupa të krijuara në përgjigje të EBNA1, në vend që të luftojnë infeksionin EBV, mund të synojnë një proteinë me pamje të ngjashme që gjendet në zonat e trurit që inflamohen në Sklerozë të Shumëfishtë, të quajtur alfa-kristalin B ose Cryab.

Cryab luan një rol vendimtar në mbrojtjen kundër efekteve të inflamacionit, dhe kështu nëse antitrupat e synojnë gabimisht këtë proteinë, kjo mund të shpjegojë disi simptomat që shihen në Sklerozë të Shumëfishtë.

Kemi zbuluar se këto antitrupa Cryab ishin të pranishme në deri në 23% të pacientëve me Sklerozë të Shumëfishtë dhe vetëm në 7% të kontrolleve, duke sugjeruar se ky proces mund të përfshihet ose në nxitjen ose në përparimin e sëmundjes së Sklerozës së Shumëfishtë deri në një të katërtën e pacientëve.

Këto gjetje janë intriguese, por tregojnë se ka një variacion të lartë midis njerëzve me këtë sëmundje dhe sugjerojnë se mund të ketë disa mënyra paksa të ndryshme për të zhvilluar Sklerozë të Shumëfishtë.

Studimet e mëparshme kanë treguar se antitrupat EBNA1 mund të lidhen edhe me proteina të tjera në trup si anoktamina-2 dhe GlialCAM, në mënyrë të ngjashme më të zakonshme tek njerëzit me Sklerozë të Shumëfishtë.

Çfarë mund të thuhet për qelizat T?

Ndërkohë që antitrupat EBV mendohet se janë të përfshirë në Sklerozë të Shumëfishtë, ata nuk kanë gjasa të shpjegojnë plotësisht pse disa njerëz e zhvillojnë këtë sëmundje. Studiuesit besojnë se qelizat T – ushtarë të sistemit imunitar që punojnë së bashku me antitrupat – mund të përfshihen gjithashtu.

Pra, ne kemi hetuar gjithashtu rolin e qelizave T dhe kemi zbuluar se ato ka të ngjarë të reagojnë ndaj EBNA1 dhe Cryab në një mënyrë të ngjashme./The Conversation

Përgatiti: Nuhi Shala