Ilustrim

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor dënon sulmin ndaj infermierit të klinikës së Onkologjisë

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së ka dënuar sulmin fizik ndaj infermierit në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, i cili ishte në vendin e tij punës dhe po kryente detyrën zyrtare.

Sulmi ndaj infermierit ka ndodhur më 10 tetor.

Në bazë të dhënave të siguruara nga Kallxo.com, sulmi ndaj infermierit ka ardhur nga familjarët e një pacienti, derisa infermeri ka nisur edhe procedurat ligjore lidhur me rastin.

“Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së dënon ashpër sulmin fizik ndaj infermierit në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, i cili ishte në vendin e tij punës dhe po kryente detyrën zyrtare, në shërbim të pacientëve”- thuhet në reagim.

Tutje, sindikata potencoi se sulmet e tilla në vendin e punës janë shqetësuese dhe të papranueshme.

“Sulmet e tilla ndaj punëtorëve shëndetësorë në vendet e tyre të punës janë shqetësuese dhe të pa pranueshme, ndërsa tolerimi i tyre krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen duke nxitur pasiguri në punë në mesin e komunitetit infermieror”- thuhet në reagimin e sindikatës.

Përmes këtij reagimi, sindikata ka ftuar QKUK-në që të rris kapacitet dhe masat e sigurisë për punëtorët shëndetësor në vendet e tyre të punës.

“Ftojmë QKUK të rrisë kapacietet dhe masat e sigurisë fizike për punëtorët shëndetësor në vendet e tyre të punës, ndërsa organet kompetente që të zbardhin rastin dhe kryesit e kësaj veprave frikacake dhe të turpshme të marrin dënimin e merituar, në mënyrë që rastet e tilla të mos përseriten më”- thuhet më tej nga kjo sindikatë.