Si trajtohen venat e zgjeruara?
Në “TikTok” janë publikuar disa video të cilat pretendojnë se disa kremra apo produkte të tjera arrijnë t’i sherojnë venat e zgjeruara, të njohura edhe si vena varikoze ose variqet.
Produktet nëpër këto video prezantohen si bimore dhe pretendohet se eliminojnë nevojën që venat e zgjeruara të largohen me operacion apo me laser (shih këtu (arkiva & arkiva), këtu (arkiva & arkiva), këtu (arkiva) këtu, këtu dhe këtu).
Për të verifikuar këto pretendime, Krypometër ka kontaktuar disa kirurgë vaskularë.
Kirurgu vaskular Burim Ukperaj ka thënë se produktet me bazë bimore mund të ndihmojnë vetëm në qetësimin e simptomave, por, nuk i trajtojnë venat e zgjeruara.
Ukperaj ka thënë se zgjidhja ideale për këtë është operimi.
“Kremrat e ndryshme vetëm mund të ndihmojnë për qetësim të simptomave dhe ankesave lokale, por asnjëherë nuk i trajtojnë ato. Çdo medikament dhe krem lokal duhet përshkruar nga specialisti i kirurgjisë vaskulare. Kur shfaqen venat e zgjeruara, atëherë operimi është zgjidhja më e mirë. Modalitetet e mjekimit janë operimi klasik kirurgjik dhe largimi i venave kryesore të jashtme dhe venave të zgjeruara, operimi me laser dhe radiofrekuencë e njohur si ablacion endovenoz, ablacioni me ngjitës medikal (VenaSeal), ablacioni mekano-kemikal (MOCA) dhe trajtimi me skleroterapi (injektimi i substancës sklerotizuese në brendësi të venës)”- ka thënë Ukperaj për Krypometër.
Në një shkrim autorial në portalin Telegrafi.com kirurgu vaskular Adhurim Koshi ka shpjeguar në mënyrë të detajuar shkaqet, trajtimin dhe shërimin e venave varikoze.
“Kur shfaqen venat e zgjeruara, operimi i tyre është zgjidhja ideale. Modalitetet e mjekimit janë operimi klasik kirurgjik dhe largimi i venave kryesore te jashtme dhe venave të zgjeruara, operimi me laser dhe radiofrekuencë e njohur si ablacion endovenoz, ablacioni me ngjitës medikal (VenaSeal), ablacioni mekano-kemikal (MOCA) dhe trajtimi me skleroterapi (injektimi i substancës sklerotizuese në brendësi të venës). Po ashtu, sot përdoren edhe teknikat e reja të trajtimit të cilat thirren si teknika të ruajtjes së venës safena (saphenouas sparing technique) CHIVA dhe ASVAL”– thuhet ndër të tjera në shkrimin e Koshit.
Ai ka shtuar se venat e zgjeruara (varikoze) janë një prej problemeve shëndetësore më të shpeshta që paraqiten te pacientët dhe që raportohen në institucionet shëndetësore. Janë patologji që kanë sëmundshmëri të konsiderueshme dhe kosto afatgjatë të trajtimit për pacientin, prandaj edhe kërkojnë vëmendje të madhe.
“Varcosin” quhet kremi që më së shumti është e shpërndarë në internet sa i përket shërimit të venave varikoze.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Hajriz Rudari, ka thënë se venat e zgjeruara nuk mund të shërohen me asnjë lloj kremi.
“Venat shërohen nga metodat me gjilpërë (scleroterapi), intervenim klasik- operim, me laser, me radiofrekuencë, me ngjitës e deri te metodat bashkëkohore më të reja siç është ajo me aparat (sonovein) me rreze ose valë pa prerje e pa anestezion”- thuhet në përgjigjen e drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari.