Si ta zvogëloni rrezikun e shfaqjes së komplikimeve të diabetit?

Çdo vit në Ditën Botërore të Diabetit organizohen kampanja për tema të caktuara të cilat mund të zgjasin disa vite.

Më 14 Nëntor, tema pwr Ditën Botërore të Diabetit 2021-23 është Qasja në Kujdesin ndaj Diabetit-Nëse jo tani, kur?

Mesazhi ka për qëllim që të rritet qasja në kontrollin e diabetit, të përmirësohet menaxhimi i diabetit, të parandalohen komplikimet, të përmirësohet kualiteti i jetës së pacientëve që jetojnë me diabet.

Çka është diabeti?

Diabeti është sëmundje kronike, kur trupi juaj nuk mund të kontrollojë siç duhet nivelin e sheqerit në gjak për shkak se nuk sekretohet insulinë e mjaftueshme ose qelizat tuaja janë rezistente në insulinë. Insulina sekretohet në pankreas, rëndësia e saj është në përpunimin e sheqerit.

  •        Nëse vlerat e sheqerit në gjak nuk janë nën kontroll, diabeti rrezikon jetën tuaj.
  •        Diabeti bën shumë dëmtime në organizmin tuaj, dëmton sytë, veshkët, zemrën, shkakton shputën diabetike.
  •        Mbajtja e sheqerit në gjak në vlerat e dëshiruara zvogëlon rrezikun e shfaqjes së këtyre komplikimeve.

Ekzistojnë dy tipe kryesore të diabetit. Nëse diabeti diagnostikohet dhe menaxhohet në mënyre efektive ju mund të jetoni jetë normale.

Nuk ka shërim të diabetit, ekzistojnë mënyra që ju të jetoni mirë me diabet. Ajo çka juve ju duhet është mbështetja nga familja, shoqëria dhe kujdesi mjekësor.

Sa i shpeshtë është diabeti?

Rreth 422 milionë njerëz në botë janë me diabet, 1.5 milion vdekje në vit shkaktohen nga diabeti. Numri i njerëzve me diabet dhe vdekjet nga diabeti janë rritur dukshëm në dekadat e fundit.

Diabeti Tip 2 është më i shpeshtë se Diabeti Tip 1 dhe është po ashtu më lehtë i menaxhueshëm nëse ndryshohet stili i jetës.

Ka shumë njerëz që jetojnë me diabet dhe nuk e dinë që kanë diabet. Kjo ndodh për shkak që nuk kanë simptoma. Është e rëndësishme të matet sheqeri në gjak që të zbulohet me kohë sëmundja.

A jeni të rrezikuar nga diabeti?

Ju jeni në rrezik nga diabeti tip 2 nëse:

Jeni prediabet

Jeni mbipeshë

Jeni mbi 45 vjeçar

Keni prindërit, motrën, vëllanë me diabet tip 2

Nuk bëni aktivitet fizik

Nëse keni pasur diabet gestacional (diabet gjatë shtatzënisë) ose keni lindur bebe me peshë më të madhe se 4 kg.

Cilat janë simptomat e diabetit?

Disa njerëz me diabet tip 2 nuk shfaqin simptoma për këtë arsye është mirë të matni sheqerin në gjak.

Simptomat e zakonshme të diabetit janë:

  1. Urinimi i shpeshtë
  2. Etja e shtuar
  3. Uria e shtuar
  4. Lodhja ekstreme
  5. Humbja e peshës- edhe nëse hani më tepër se zakonisht( Tip 1)

Si ta zbuloni diabetin nëse e keni?

Mënyra më e mirë për të zbuluar diabetin është kontrolla mjekësore. Edhe nëse nuk keni simptoma është e rëndësishme të testoheni sepse ju mund të keni diabet.

Si mund të parandaloni diabetin?

Ju mund të parandaloni ose të vononi shfaqjen e diabetit Tip 2 duke bëre jetë të shëndetshme.

Duke ndryshuar mënyrën e të ushqyerit, duke shtuar  aktivitetit fizik,  etj.