Si duhet të reagojë bota ndaj pandemisë së ardhshme?

Nëntorin e kaluar, pasi e kishte paralajmëruar botën për variantin e ri dhe shumë të transmetueshëm Omicron të virusit Sars-CoV-2, shkencëtari me bazë në Afrikën e Jugut Tulio de Oliveira e pa atë vetë Afrikën e Jugut me masa ndalimi në udhëtime.

I njohur tashmë në atë që ai e shihte si vendet më të pasura që grumbullonin vaksina, ilaçe antivirale dhe reagentë testues, zhgënjimi i tij u përhap.

“Nëse bota vazhdon ta ndëshkojë Afrikën për zbulimin e Omicronit dhe ‘shkencëtarët global të shëndetit’ vazhdojnë t’i marrin të dhënat, kush do t’i ndajë përsëri të dhënat e hershme?”, postoi ai në Twitter.

Si ta përmirësojmë reagimin tonë ndaj pandemisë së ardhshme?

Ekzistojnë dy sfida kryesore: përmirësimi i mbikëqyrjes së patogjenëve; dhe sigurimin e barazisë së vaksinave.

Dhe siç na e bën me dije De Oliveira, këto janë të lidhura. Jo vetëm moralisht, por për herë të parë në historinë e pandemisë, ligjërisht.

A kemi nevojë për një traktat pandemie?

Më parë, organizmat e gjallë, duke përfshirë patogjenët, konsideroheshin si trashëgimi e përbashkët e njerëzimit dhe ndarja e tyre për qëllime shkencore ndodhte në mënyrë joformale.

Kjo ndryshoi me Konventën e vitit 1992 të OKB-së për Diversitetin Biologjik (CBD), e cila thotë se vendet kanë të drejta sovrane mbi burimet gjenetike që gjenden në territorin e tyre.

Sipas një aneksi të asaj konvente, protokollit të Nagoyas, vendi nikoqir mund të vendosë kushte për qasjen në ato burime dhe për ta siguruar ndarjen e drejtë dhe të barabartë të përfitimeve që rrjedhin prej tyre.

Covid-19 është pandemia e parë që nga hyrja në fuqi e Nagoya në vitin 2014, por fryma e protokollit nuk është respektuar. Duke filluar me Kinën në janar të vitit 2020, shtetet kanë ndarë lirshëm të dhënat e lidhura me Sars-CoV-2, duke mos kërkuar asgjë në këmbim.

Këto të dhëna kanë nxitur revolucione në vaksinologji, renditjen e patogjenëve dhe mbledhjen e të dhënave. Por frytet e atyre revolucioneve nuk janë ndarë në mënyrë të barabartë.

Vetëm 14% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë të paktën një dozë vaksine, krahasuar me rreth 80% në vendet me të ardhura të larta dhe të mesme të larta.

OBSH-ja tani po propozon disa nisma të veçanta për ta përmirësuar mbikëqyrjen, duke përfshirë dy qendra me bazë në Evropë për ndarjen ndërkombëtare të të dhënave dhe mostrave të patogjenëve. Por këto propozime, gjithashtu, në mënyrë efektive e injorojnë protokollin Nagoya.

OBSH pret që vendet të kontribuojnë në qendrat për të mirën e përbashkët, ndoshta edhe për t’i ndarë vështirësitë që vijeë nga sanksionet. Megjithëse ka qenë i zëshëm për nevojën për barazi të vaksinave, asnjë nga propozimet aktuale nuk trajton në mënyrë eksplicite ndarjen e përfitimeve.

“Po e trajtojmë ndarjen e patogjenëve si një të mirë të përbashkët, por nuk po i trajtojmë vaksinat dhe kundërmasat mjekësore si një të mirë të përbashkët”, thotë studiuesi ligjor Mark Eccleston-Turner i King’s College në Londër.

Eccleston-Turner thotë se patogjenët njerëzorë duhet të përjashtohen nga protokolli Nagoya dhe vaksinat duhet të riklasifikohen në mënyrë të ngjashme.

Praktikisht, sugjeron ai, kjo mund të përfshihet në një traktat pandemik mbi të cilin po punon OBSH, që mund t’i ndajë të drejtat e Pronësisë Intelektuale (IP) sipas raportit të investimeve publike-private në zhvillimin e vaksinave.

Të tri ose katër vaksinat kryesore të koronavirusit u shpërndanë nëpër tregje të ndryshme por një gjë që ato kanë të përbashkët, sipas specialistit të ligjit të PI-së (pronësisë intelektuale), Luke McDonagh nga London School of Economics, është se publiku përballej me pjesën më të madhe të rrezikut dhe kompanitë e barnave e kjanë ruajtur pjesën më tëmadhe të IP-së.

Më shumë nga IP duhet të qëndrojnë në domenin publik, thotë ai, duke reflektuar investimet e taksapaguesve. McDonagh tregon për kërkimet që i tregojnë pretendimet e sektorit privat se zvogëlimi i dominimit të IP-së së tyre do ta zbehte inovacionin për të mos rezistuar, dhe jep shembullin e barnave antiretrovirale për HIV – subjekt i një beteje të mëparshme të IP-së.

“Fakti i prodhimit gjenerik në jugun global nuk ka ndikuar në stimujt për kërkimin e HIV-it në vendet e pasura”, thotë ai.

Por ndryshimi i statusquo-së nëpërmjet një traktati të ri mund të mos jetë i lehtë pa mbështetjen e qeverisë, pranon ai, dhe Mbretëria e Bashkuar dhe BE janë ndër ata që qëndrimi aktual mbi patentat sugjeron se mund ta kundërshtojnë atë. Shkëmbimi i njohurive dhe ndërtimi i kapaciteteve prodhuese të vaksinave globalisht janë gjithashtu jetike për arritjen e barazisë së vaksinave, thotë ai, dhe OBSH po i promovon të dyja.

“Ndarja e barabartë është në interesin e të gjithëve”

Mund të ketë një zgjidhje rrënjësisht të ndryshme: lini patogjenët në Nagoya dhe respektoni këmbënguljen e saj për ndarjen e barabartë të përfitimeve.

Ekziston një precedent, thotë Edward Hammond, konsulent me bazë në Teksas, i cili ka këshilluar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mbi implikimet e Nagoya. Ai tregon për një zbatim të suksesshëm të Nagoya në kuadrin e vetë OBSH-së për gatishmërinë ndaj gripit pandemik (PIP).

Nëpërmjet PIP, shtetet anëtare të OBSH-së ndajnë mostra të viruseve të gripit që kanë potencial pandemik njerëzor dhe OBSH-ja merr një pjesë të përfitimeve. “Ka gjeneruar mbi 250 milionë dollarë në pagesa në para nga kompanitë e vaksinave [dhe të tjera]”, thotë Hammond.

Disa kanë thënë se aplikimi i Nagoya për patogjenët në rastin më të mirë do të krijonte vonesa në ndarjen dhe në rastin më të keq do t’u jepte kontroll aktorëve të këqij.

“Në rast të një pandemie tjetër, një vend mund t’i kërkojë “të drejtat” e tij mbi mostrat e virusit, duke e mbajtur pjesën tjetër të botës në errësirë”, shkroi Thomas Cueni, drejtor i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutikepërmes një postimi në blog në Stat nëntorin e kaluar.

Këtë pikëpamje nuk e ndajnë vetëm kompanitë e barnave. Ajo ndahet nga disa në shëndetin publik. Tri vjet më parë, Vasee Moorthy, këshilltar i lartë shkencor në OBSH, punoi në një studim mbi ndikimin e Nagoya në shëndetin publik. “Disa njerëz ishin të shqetësuar se mund të kishte vonesa, por ne nuk e kemi parë këtë”, thotë Moorthy.

Nëse ka ndonjë gjë, studimi zbuloi se protokolli inkurajon ndarjen e patogjenëve duke krijuar besim se përfitimet do të ndahen në mënyrë të drejtë. Siç thotë Moorthy, “Ndarja është në interesin e të gjithëve”.

De Oliveira është dakord. Me historinë e saj të luftës kundër HIV-it, thotë ai, Afrika e Jugut nuk do të mbante kurrë të dhëna esenciale, lëshimi i shpejtë i të cilave ajo e di se mund të shpëtojë potencialisht miliona jetë, “por për fat të keq jo çdo vend e ka këtë përvojë afatgjate ose qeveri transparente dhe ata mund t’i ndalojnë”.

Për ta shmangur këtë, thotë ai, masat e kontrollit duke përfshirë ndalimin e udhëtimit duhet të balancohen nga mbështetje financiare ose ndonjë mbështetje tjetër.

Protokolli Nagoya nuk është perfekt, pranon Hammond. Për një gjë, ai mbulon vetëm mostrat fizike, jo të dhënat e sekuencës dixhitale që janë gjithnjë e më shumë gjithçka që nevojitet për të bërë vaksina, teste dhe ilaçe – megjithëse ai dhe të tjerët po lobojnë për ta ndryshuar këtë.

Por ajo përqafon frymën e epokës, me theksin e saj te reciprociteti. Ai lejon ndarjen shumëpalëshe të përfitimeve, siç i ka hije një pandemie. Ai mendon se mund ta ketë parandaluar ose të paktën zbutur nacionalizmin e vaksinave.

Dhe gripi pandemik mund ta sigurojë modelin për një instrument më të mirë që mbulon shumë patogjenë, përfshirë atë që shkakton pandeminë e ardhshme./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala