ShSKUK furnizohet me pajisje të reja mjekësore

600 maska helmetë-CPAP, 15 analizatorë të gazrave në gjak, 100 pompa respiratorë kirurgjike me rrymë, 200 pajisje me presion të lartë për terapi me Oksigjen, me set të pajisje përcjellëse janë pajisjet më të cilat sot është furnizuar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, i udhëhequr nga Valbon Krasniqi.

Pajisjet do të shpërndahen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe nëpër spitalet rajonale.

“Ato kanë arritur sot në Qendrën Klinike Universitare përmes UNOPS dhe janë pjesë e “Projektit Emergjent COVID-19 për Kosovë”, i financuar nga një kredi e Bankës Botërore, i cili, sipas parashikimeve, pritet rrumbullakësohet ditët në vazhdim me ardhjen e kontigjentit të fundit me pajisje mjekësore”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Kujtojmë se Kosova tash e një vit është duke luftuar pandeminë COVID-19, deri më tani 75 mijë qytetarë janë infektuar me coronavirus, përderisa mbi 1 mijë 600 persona kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Brenda 24 orëve në Kosovë janë regjistruar 730 raste pozitive me coronavirus. 

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.