Shkencëtarët janë në gjurmët e 'imunitetit natyror' që e mbron kujtesën e njeriut

Shkencëtarët janë përpjekur prej vitesh ta kuptojnë procesin e sëmundjes Alzheimer dhe t’i zbulojnë simptomat e sëmundjes sa më shpejt që të jetë e mundur. Mirëpo, surpriza të cilën një kolumbian e ka përgatitur për ta është unike.

Siç thuhet nga një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë në studimin e tyre, të publikuar në revistën Nature Medicine, një burrë kolumbian, i cili parashikohej të vuante nga demenca në të 40-at e tij, është bartës i një mutacioni gjenetik të rrallë në gjenin Paia. Ishte parashikuar se ai do t’i vinte re fillimet e rënies njohëse/kognitive rreth moshës 45 vjeçare dhe çmendurisë apo demencës rreth moshës 50 vjeçare. Por në vend të kësaj, ai ruajti qëndrueshmërinë e tij dhe vdiq në moshën 74 vjeçare me vetëm disa ndryshime të lehta.

Studiuesit i kanë shqyrtuar gjenet e tij për ta gjetur një mutacion tjetër që mund ta mbronte atë nga sëmundja dhe zbuluan se ekzistonte vërtet një mutacion në gjenin që kodon proteinën relin, e cila lidhet me çrregullimet e trurit. Megjithatë, theksojnë shkencëtarët, duket se kjo proteinë e shpëtoi njeriun kolumbian nga demenca.

Duke i ekzaminuar skanimet e trurit të tij, shkencëtarët gjetën shenja klasike të sëmundjes së Alzheimerit si pllakëzat amiloide dhe nyjet tau. Megjithatë, ata zbuluan gjithashtu se pjesa e trurit përgjegjëse për kujtesën ishte më pak e prekur nga këto nyje.

Një nga udhëheqësit e studimit, Joseph Arboleda-Velasquez, shpjegoi se do të ishte e mahnitshme nëse ata arrijnë të zbulojnë se si ta mbrojnë pjesën e trurit përgjegjës për kujtesën nga ndryshime të tilla si sëmundja e Alzheimerit ose demenca.

Ata shpresojnë se gjetjet e tyre mund të çojnë në njohuri të reja që mund të ndihmojnë në ndalimin ose të paktën ta vonojnë përparimin e sëmundjes.

Ky është edhe rasti i dytë i tillë, i regjistruar deri më tani në literaturën profesionale, ku një person kishte “imunitet natyror” nga sëmundja e Alzheimerit.

Disa vite më parë, shkencëtarët zbuluan një grua e cila, falë një mutacioni tjetër gjenetik të njohur si Christchurch, ishte në gjendje t’i rezistonte sëmundjes së Alzheimerit deri në të 70-at e saj. Duke e skanuar trurin e saj, shkencëtarët gjetën praninë e depozitave të amiloidit, por jo të nyjeve tau.

Ndërsa këto gjetje japin shpresë se një trajtim mund të zbulohet në të ardhmen për ta trajtuar ose ngadalësuar sëmundjen, shkencëtarët gjithashtu theksojnë se mund të ketë më shumë faktorë që ndikojnë në ruajtjen e kujtesës që ende nuk janë zbuluar./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala