Ilustrim

Shënohet Dita Botërore e Sigurisë së Pacientit

Në botë sot shënohet dita e sigurisë së pacientëve, përmes të cilës Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon siguri dhe trajtim të mirë të pacientëve.

‘Çdo minutë vdesin 5 njerëz në botë për shkak të trajtimeve të gabuara’, tha kreu i OBSH, Tedros Adhanim Ghebreyesus në Gjenevë, njofton Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Sipas PRAK-ut në të gjithë botën 40 përqind e pacientëve kanë pësuar lëndime në trajtimet ambulante, kurse në spitale kanë pasur probleme vetëm 10 përqind e tyre.

“Në 150 vende me të ardhura të ulëta e të mesme 2.6 milionë njerëz madje kanë ndërruar jetë për shkak të trajtimeve jo të duhura mjekësore. Gama e gabimeve është e madhe që nga diagnoza e gabuar deri tek ilaçet e papërshtatshme, ata kanë marrë rrezatimin jo të duhur apo janë infektuar gjatë trajtimit. Në statistikat e OBSH së dalin edhe prerjet e gjymtyrëve të gabuara apo operacione në anën e gabuar në kokë tek fëmijët”, thotë PRAK-u.

Sipas tyre Kosova si vend me të ardhura të ulëta, ende nuk ka krijuar një sistem të sigurisë së pacientëve, gjë që në mënyrë permanente e rrezikojnë sigurinë e tyre gjatë trajtimit.

“Disa nga problemet kryesore që e cenojnë sigurinë e pacientëve janë, gabimet mjekësore, kushtet higjeno – sanitare, furnizimi me medikamente, aparaturat e vjetruara dhe përdorimi i tyre, diagnostifikimi i gabuar, etj”, thuhet në njoftim.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë liston rekomandimet që duhet të ndjekin të gjithë për të siguruar pacientin nga gabimet që mund t’i kushtojnë me shëndet apo me jetë.

Nëse jeni pacient/familjar dhe përfshiheni aktivisht në kujdesin tuaj atëherë:
– Siguroni të merrni informacion të saktë në lidhje me historinë tuaj mjekësore dhe sigurohuni që të komunikoni hapur me ekipin tuaj të kujdesit shëndetësor;
– Bëni pyetje që të jeni të vetëdijshëm për gjendjen tuaj shëndetësore dhe trajtimin;
– Fol për sigurinë e kujdesit tuaj;
– Fol për sigurinë e pacientit!
Nëse jeni mjek, infermier, farmacist ose punonjës shëndetësor:
– Angazhoni pacientët si partnerë në kujdesin e tyre;
– Punoni me pacientin për të krijuar një kulturë të hapur dhe transparente të sigurisë së pacientit;
– Inkurajoni raportimin pa faj dhe mësoni nga gabimet;
– Fol për sigurinë e pacientit!
Nëse jeni një drejtues i kujdesit shëndetësor, politikëbërës, parlamentar ose politikan:
– Investoni në sigurinë e pacientëve dhe bëjeni atë një prioritet kombëtar të shëndetësisë;
– Bëni sigurinë e pacientit prioritetin tuaj;
– Fol për sigurinë e pacientit!