Salih Ahmeti: Varianti i ri COVID-19 është më i rrezikshëm për moshat e reja

Përveç infeksionit ‘të vjetër’ të COVID-19 bota tani është duke luftuar edhe me variantin e ri të COVID-19.

Varianti i ri deri më tani në Kosovë ka prekur tre persona. Kështu rezulton nga 30 mostrat e dërguara nga Gjermani për testim.

Në fillim të pandemisë kishte raportime se infeksioni është më i rrezikshëm për moshat më të moshuara përderisa me rritjen e rasteve pozitive dhe të vdekjes u dëshmua se COVID-19 nuk njeh moshë.

Ndryshe nga konkluzionet e mëparshme për coronavirus, tani me paraqitjen e variantit të ri të COVID-19 thuhet se ky variant, shpërndahet më shpejtë.

Përveç shpërndarjes më të shpejtë të virusit, infektologu Salih Ahmeti, tha për KALLXO.com se varianti i ri është më i rrezikshëm për moshat më të reja.

“Varianti i ri përhapet më shpejtë krahasuar me variantin e vjetër. Prek kryesisht moshat nën 60 vjeç duke mos kursyer edhe moshat fëmijërore. Jep komplikime më të mëdha të sëmundjes dhe për shkak se numri i të infektuarve është i lartë, vendet që kanë përballje më tepër shkojnë edhe në numër më të madh të vdekjeve meqenëse numri i formave të rënda dhe numri i vdekjeve është më i madh”, tregoi Ahmeti.

Ai tutje thotë se komplikimet e variantit të ri janë të ngjashme me variantin paraprak, ndërsa për tre rastet e para të paraqitura me variantin e ri të coronavirusit, infektologu konfirmon se kanë pasur forma të lehta të sëmundjes.

“Dy raste kanë pasur forma mesatare, një ka qenë formë e rëndë, por është trajtuar mirë”, thotë shkurt ai.

Përveç variantit të ri në nivel vendi janë mbi 15 persona të cilët janë riinfektuar me COVID-19.

Varianti i ri COVID-19 është shfaqur për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar.