COVID-19

Rreziku nga vala e dytë, 681 raste të infektimit me COVID-19 brenda dy jave në Kosovë

Fillimi i muajit tetor ka shënuar rritje të dyfishitë të rasteve me COVID-19 në vend, rritja e rasteve ngrit rrezikun se vendi mund të ballafaqohet me valën e dytë të pandemisë së coronavirusit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot ka njoftuar se në Kosovë janë shënuar 98 raste të reja të infektimit me coronavirus, kjo shifër tregon se rastet janë duke u rritur marrë parasysh edhe shifrat e ditëve të fundit të cilat janë rritur gradualisht.

681 raste janë regjistruar vetëm në dy javët e para të tetorit, në tre ditët e fundit janë shënuar më së shumti raste me SARS-CoV-2, më 11 tetor janë regjistruar 48 raste, më 12 tetor 68 të tillë, ndërsa sot 98.

Në anën tjetër, Infektologu, Salih Ahmeti, thotë për KALLXO.com se qëndron rreziku për një valë të dytë.

Sipas tij, hyrjet dhe daljet me shtet fqinje mund të kenë ndikuar në rritjen e numrit të rasteve me COVID-19.

“Duke marrë parasysh situatën epidemiologjike edhe të vendeve të regjionit, edhe të vendeve evropiane ku kemi bashkëqytetarë tanë kanë rritje të rasteve. Një numër i tyre tashmë kanë ardhur këtu tek ne (në Kosovë) dhe ne kemi hyrje dhe dalje edhe me vendet e regjionit Maqedonia e Veriut ka mjaftë rritje të rasteve. Ekziston mundësia të kemi numër të rasteve, kjo është një shifër ditore, por të shohim sa do të kemi ditëve të ardhshme. Dy javëve të fundit kemi pas një situatë më të qetë në krahasim me vendet e regjionit, por si mundësi ekziston (vala e dytë e infeksionit me COVID-19)”, tha Salihu.

Ai gjithashtu, tregoi se numri i pacientëve të cilët po kërkojnë ndihmë mjekësore në Klinikën e Infektivës është rritur, dhe se nëse ka rritje të pafavorshme duhet të rriten masat e kontrollit.

“Realisht kemi pak një rritje të numrit të rasteve që kërkoj spitalizim, por ende nuk kemi rritje domethënëse. Nëse kemi rritje më të pafavorshme, atëherë duhet të rrisim masat apo të i ashpërsojmë masat e kontrollit”, tregoi infektologu.

Përveç rritjes së pacientëve nëpër Klinikën e Infektives, ai tha se duhet të përgatitemi për një valë të dytë dhe se të gjithë sektorët duhet të ndërmarrin masat e duhura në mënyrë që të mos befasohen për asgjë.

Ahmeti ka shtuar se mbyllja e shkollave dhe fakulteteve nuk është zgjidhje, duke thënë se ato duhet të vazhdojnë nën masat mbrojtëse.

“Shkollat e fakultetet duhet të vazhdojnë, por me masat mbrojtëse në raport me numrin e rasteve. Masat që mendoj se duhet të ndërmerren me shkollat dhe me fakultetet duhet të sillen në raport me gjendje epidemiologjike”, shtoi tutje ai.

Kosova është duke u përballur me pandeminë COVID-19 që nga muaji mars i këtij viti, kur edhe u shfaq rasti i parë i infeksionit me SARS-CoV-2 në vend.
Në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë te qytetarët, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pati vendosur që vendi të futet në karantinë.

Gjithashtu, në kohën kur vendi qeverisej nga ish-kryeministri Albin Kurti, u vendos që të bëhet një Pako Emergjente për disa kategori në vend në mënyrë që të u dal në ndihmë për shkak se shumë biznese u detyruan të mbyllen e shumë qytetarë mbetën pa punë.

Aktualisht në nivel vendi janë 16 mijë e 345 të infektuar me coronavirus, 14 mijë e 405 prej tyre janë shëruar ndërsa kanë vdekur 649, përderisa në nivel global janë të infektuar me SARS-CoV-2  38 milion 122 mijë e 819 persona.