Rreziku i kancerit të lëkurës: Ngrënia e dy porcioneve të peshkut në javë mund ta rrisë rrezikun e melanomës

Konsumimi i dy porcioneve të peshkut në javë është lidhur me një rrezik të shtuar të kancerit të lëkurës, sipas një studimi i cili përfshiu 491,367 të rritur në SHBA të moshës rreth 62 vjeç, të cilët raportuan se sa shpesh hanin peshk të skuqur, peshk jo të skuqur dhe peshk ton gjatë vitit të kaluar, si dhe madhësinë e porcioneve.

Instituti Kombëtar Shëndetësor amerikan rekomandon dy porcione peshku në javë për një dietë të ekuilibruar, duke përfshirë një peshk me vaj me një pjesë që peshon rreth 140 gramë.

Megjithatë, studiuesit nga SHBA kanë paralajmëruar se dy porcione javore mund t’i rrezikojnë njerëzit ta marrin melanoma malinje, forma më vdekjeprurëse e kancerit të lëkurës.

Studimi i bërë nga Universiteti Broën zbuloi se njerëzit, konsumimi tipik ditor i peshkut i të cilëve ishte 42.8 g (rreth 300 g në javë) ishin në një rrezik 22% më të lartë të melanomës malinje sesa ata që kishin një konsum prej vetëm 3.2 g.

Studimi zbuloi gjithashtu se ata që hanë më shumë peshk kishin 28% më shumë gjasa të zhvillonin qeliza jonormale vetëm në shtresën e jashtme të lëkurës, e cila njihet si melanoma e fazës 0 ose melanoma in situ dhe quhet edhe si para-kancer.

Studiuesit më pas llogaritën frekuencën e rasteve të melanomës që u zhvilluan gjatë një periudhe 15-vjeçare duke i përdorur të dhënat e marra nga regjistrat e kancerit.

Ata morën parasysh faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në rezultatet si pesha, pirja e duhanit dhe historia e pijes, si dhe nëse kishte një histori familjare të kancerit.

1% e njerëzve kanë zhvilluar melanoma malinje ndërsa 0.7% kanë zhvilluar melanoma të fazës 0.

Ndërkohë që nuk u gjet asnjë lidhje domethënëse midis ngrënies së peshkut të skuqur dhe kancerit të lëkurës, ngrënia e 17.8 g peshk jo të skuqur në ditë lidhej me një rrezik 18% të lartë të melanomës malinje dhe 25% rrezik më të lartë të melanomës së fazës 0, në krahasim me ngrënien e vetëm. 0.3 g.

Njerëzit të cilët konsumonin 14.2 g peshk ton në vend të 0.3 g në ditë, u zbuluan gjithashtu se ishin në një rrezik 20% më të lartë.

Autori i studimit Eunyoung Cho tha: “Ne spekulojmë se gjetjet tona mund t’i atribuohen ndotësve në peshq, të tilla si bifenilët e poliklorinuar, dioksinat, arseniku dhe merkuri.”

Megjithatë, Dr Michael Jones, shkencëtar i stafit të lartë në gjenetikë dhe epidemiologji në Institutin e Kërkimit të Kancerit tha se ishte e mundur që njerëzit që konsumonin më shumë peshk jo të skuqur ose ton të kishin zakone të tjera të jetesës që rrisin rrezikun e tyre për melanoma.

Tutje ai shtoi: “Autorët spekulojnë se kjo ndërlidhje mund të jetë për shkak të ndotësve në peshq, por ata nuk i kanë matur nivelet e këtyre ndotësve tek pjesëmarrësit.

“Është e rëndësishme të mbani mend se të hani dy porcione peshku në javë… mund të jetë një mënyrë për të përfshirë lëndë ushqyese të rëndësishme si acidet yndyrore omega-3 si pjesë e një diete të shëndetshme dhe ky studim nuk duhet t’i dekurajojë njerëzit që ta përfshijnë peshkun si pjesë të një diete të shëndetshme”./Sky News