Rëndohet situata, rritet numri i pacientëve me COVID-19 në Spitalin e Pejës

Nga raporti ditor i Spitalit Rajonal të Pejës bëhet e ditur se aktualisht janë duke u trajtuar 110 pacientë të infektuar me coronavirus, 88 pacientë janë në oksigjeno – terapi prej tyre 17 pacientë janë në gjendje më të rëndë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje ka bërë të ditur se në nivel vendi janë regjistruar edhe 501 raste të reja të infektimit me SARS-CoV-2, përderisa në komunën e Pejës janë regjistruar tre raste.

Deri më tani në Kosovë 29.117 persona janë infektuar me COVID-19, 17.305 janë shëruar ndërsa 822 persona të tjerë kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.