Kryetari i ri i OEK, Berat Rukiqi, Foto: RTV 21

Reagon kryetari i Odës Ekonomike pasi kryeministri fajësoi gastronominë për rritjen e infektimeve

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se është herët të konstatohet se kush është fajtor për rritjen e rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Deklarata e Rukiqit erdhi pasi që Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, fajësoi gastronominë, bashkë me institucionet, për rritjen e rasteve të infektimit gjatë ditëve të fundit.

“Besoj që është herët të konstatojmë se cilët janë faktorët që shtojnë raste, por ajo që e kemi thënë gjithë, është se duhet t’i respektojmë masat dhe nuk është vetëm gastronomia që ka këtë problem. Në përgjithësi në sektor mund të ketë një rritje të respektimit të masave”, tha Rukiqi për KALLXO.com.

Rukiqi gjithashtu tha se ato vende ku nuk respektohen masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për parandalim të përhapjes së COVID-19 duhet të gjobiten apo edhe të mbyllen.

“Ata që i shkelin rregullat duhet të gjobiten apo të mbyllen tek më e fundit. Nuk mund të akuzojmë gjithë sektorin, duhet të merren individualisht rast për rast”, tha ai.

Por ai tha se për rritjen e rasteve të infektimit me SARS-CoV-2 duhet të bëhet një analizë më e thellë se ku duhet të marrin masa.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar që brenda dy-tri javëve, qeveria e Kosovës mund të marrë vendim për shtrëngim të masave në rast se numri i të infektuarve me COVID-19 vazhdon të rritet.

Komentet e Hotit erdhën pas raportimeve për rritje të numrit të të infektuarve në ditët e fundit.

“Bëmë një vlerësim të burimeve të infektimeve dhe shtimit të rasteve se kush po shkakton rritjen e rasteve dhe vlerësimi është shqetësues. Rastet po shtohen nga gastronomia dhe nga institucionet, është e papranueshme që bartësit e institucioneve të mos kujdesen për mirëmbajtje të plotë të masave gjatë funksionimit të institucionit”, tha Hoti.

“Sot i kemi ftuar të gjitha inspektoratet dhe u dakorduam që të bëhen grupet punues të inspektoratit sanitar, farmaceutik dhe të tregut dhe ato komunal, në dy ndërrime për shkak se nga sot kanë filluar edhe 75 inspektorë shtesë”, shtoi ai.

Hoti tha se duhet bërë gjithçka për të parandaluar rikthimin e masave kufizuese për qytetarët.

“Është shtu tej mase kapaciteti i testimeve. Më vjen mirë që mora informatën nga Instituti që janë testu rreth 10 mijë nxënës e arsmitarë nëpër shkolla. Përqindja e atyre që kanë dalë pozitivë është 5 % që është mjaft e lartë”, shtoi ai.

Kryeministri Hoti paralajmëron shtrëngim të masave, fajëson institucionet dhe gastronominë për rritjen e infektimeve