Foto: REL/Shutterstock

QKMF në Kaçanik në hall me mungesë të barnave e materialit shpenzues

Qendra Kryesore e Mjeksisë Familjare në Kaçanik, po përballet me mungesë të barnave dhe materialit shpenzues që nuk i janë dorëzuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Pacientët  e asaj ane po detyrohen të blejnë barnat që u duhen për mjekim edhe nëse ato janë në listën esenciale.

Për ta zbutur këtë problem, Komuna është munduar që të paktën disa nga gjërat elementare t’i sigurojë vetë, kështu duke blerë rreth 3000 euro barna dhe materiale tjera.

Gjilpëra, dikllofen, alkool janë vetëm disa nga gjërat që mungojnë në këtë klinikë.

“Mungojnë material shpenzues- hargjues, sistem, gjilpëra, ampulla urbazon, deksazon, dikllofen, alkool, material për stomatologji”, tha për KALLXO.com Diana Raka- Bajrami Drejtoreshë komunale  e shëndetësisë.

.Zëdhënësja  për media e kësaj komune, Fatlume Selimi, tha për KALLXO.com se po të mos intervenonte komuna gjendja do të ishte shumë alarmante.

“Prej 113 kërkesave që janë proceduar nga QKMF-ja vetëm 44 janë realizuar nga Ministria e Shëndetsisë, që do të thotë 35%.Ne kemi mungesë të furnizimit me material shpenzues mjeksorë si: gazat, gjilpërat, shiringat, sistemi për infuzione, mungesën e dorëzave sterile dhe josterile, mungesën e insulinës, mungesën e metforminës, amoxycilinit, omeprazolit. Mungesën e terapisë ampullare sic janë:diklofenaku, lasixi, adrenalina, verapamili,urbasoni, synopeni e të tjerë, po të mos intervenonte komuna gjendja do të ishte edhe më serioze”, u shpreh ajo

Në anën tjetër, Kryetari i kësaj komune Besim Ilazi për KALLXO.com  thotë se janë detyruar të blejnë barna me parat e komunës edhe pse auditorët i kanë shënuar shkelje.

“Në fakt ne nuk duhet të ndihmojmë në barna, është një shkelje sipas auditorëve, është obligim i ministrisë por në rastet emergjente sidomos me gjilpana, shiringa ose ndonjë barnë kemi intervenuar edhe pse auditori na ka shkru shkelje. Për çdo vjet na shkrun shkelje se nuk është kompetencë e nivelit komunal për me ble barna”, tha Ilazi

Në lidhje me këto mungesa të barnave dhe gjërave esenciale në QKMF-në e Kaçanikut, KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë informacione mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.