Foto: REL/AFP

Psikologu: Përdorimi i fëmijëve për fushata politike, i papranueshëm

Fëmijët shpesh përdoren brenda fushatave zgjedhore dhe kjo mund të jetë e dëmshme për këtë kategori të shoqërisë.

Në kohë zgjedhjesh, partitë politike papritmas zhvillojnë një sens të lartë empatik me komunitetin dhe janë si kurrë më parë më të aftë të identifikojnë vështirësitë me të cilat qytetarët ballafaqohen në të përditshmen e tyre, thotë për KALLXO.com, Psikologu Visar Sadiku.

Sipas Sadikut përdorimi i fëmijëve në kampanja politike nuk është një fenomen  vetëm në vendin tonw, ai thotë se kjo metodë është aplikuar edhe më parë në shtete të ndryshme të botës.

“Ka një histori të gjatë nga vendet të cilat janë vetëdijesuar që përdorimi i fëmijëve në kampanja politike nuk është i drejtë dhe e kanë braktisur përdorimin e fëmijëve për interesa partiake” thotë ai.

Sipas Sadikut, një politolog përpara se të mendojë përfshirjen e fëmijëve në kampanja për interesa partiake, ai duhet të reflektojë për mirëqenien e tyre, kujdesin që u ofrohet, mbështetja institucionale që u ofrohet fëmijëve në nevojë, standardin e jetës së tyre, dhe jo përdorimin e tyre për qëllime të caktuara sepse fëmijët nuk janë ornamente dhe nuk duhen trajtuar si të tillë.

“Kampanjat politike me fëmijë janë denigruese për entitetin dhe qenien e tyre dhe natyrisht fëmijët nuk janë ata që pajtohen apo jo për të marrë pjesë sepse natyrshëm rezonimi i tyre mendor akoma nuk i përket nivelit për të njohur në detaje veprimtarinë për të cilin ata janë ekspozuar, pra politikën. Fëmijët nuk i kanë të zhvilluara opinionet për politikën por kjo nuk na e jep të drejtën t’i përdorim ata për qëllimet tona” thotë ai.

Psikologu thotë se  qytetarët e kanë obligim moral dhe ligjor të mbrojnë fëmijët nga çdo lloj manipulimi që u bëhet atyre.

“ Fëmijët po ashtu nuk mund të jenë figura publike (jo në spektrin politik) andaj përdorimi i imazhit të tyre për qëllime të tilla, i shkel dhe nuk i mbron interesat e tyre” thotë ai.