Pse "Lia e majmunëve" u shpall sërish emergjencë globale dhe sa duhet të shqetësohemi?
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur emergjencë globale “Linë e majmunëve”, një infeksion virusal që përhapet nëpërmjet kontaktit të ngushtë. Është hera e dytë brenda dy vitesh që OBSH-ja e shpall emergjencë botërore.
Dhe Reuters i jep arsyet pse është marrë ky vendim.
Çka është emergjenca shëndetësore globale?
“Emergjenca shëndetësore publike e shqetësimit ndërkombëtar”, ose PHEIC, është forma më e lartë e alarmit nga OBSh-ja. Shpallet kur sëmundjet përhapen në forma të reja ose të pazakonshme, dhe synohet të ndërgjegjësojë dhe ngrit bashkëpunimin ndërkombëtar për t’ia presë këmbët përhapjes së saj. Deklarimi i OBSH-së pason një vlerësim të ngjashëm në fillim të javës nga Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes.
Pse u shpall “Lia e majmunëve” emergjencë përsëri?
Dy vjet më parë, OBSH-ja e shpalli “Linë e majmunëve” emergjencë kur një formë e sëmundjes nisi të përhapej botërisht, kryesisht në mesin e burrave që kishin marrëdhënie seksuale me meshkujt. Shpërthimi u frenua pas ndryshimit të sjelljes dhe praktikave të sigurta të seksit, shto vaksinat që ndihmuan njerëzit e rrezikuar të mbronin veten në shumë vende.
Por lia e majmunëve ishte problem i shëndetit publik në pjesë të Afrikës për dekada me radhë. Rasti i parë te njerëzit u detektua në Kongo më 1970, dhe prej atëherë ka pasur shpërthime e përhapje të herëpashershme.
Përhapja e fundit, më e ashpra në Kongo, ka rezultuar me 27 mijë raste dhe më shumë se 1.100 vdekje që nga janari i vitit 2023, kryesisht në mesin e fëmijëve. Sëmundja shkakton simptoma të ngjashme me të gripit dhe puçrra të mbushura me qelb, dhe zakonisht nuk manifestohet me gjendje të rëndë, por që mund të marrë jetë. Fëmijët, gratë shtatzëna dhe njerëzit me sisteme të dobëta imuniteti, siç janë të prekurit me HIV, rrezikohen më shumë nga komplikimet.
Dy lloje të lisë së majmunëve po përhapen tani në Kongo: forma endemike e virusit, si dhe formë e re.
Kjo formë e re virusi ka shkaktuar shqetësim botëror, sepse duket se po përhapet shpejt dhe shumë pak dihet për të. Bartet nëpërmjet kontaktit seksual, si dhe kontakteve tjera të ngushta – si në mesin e fëmijëve në kampet e të zhvendosurve në pjesë të Kongos – dhe tani është përhapur prej Kongos lindore në Ruandë, Ugandë, Burundi dhe Keni.
Çfarë ndodh tani?
Shkencëtarët besojnë se shpallja emergjencë do të përshpejtojë përpjekjet për të marrë më shumë mjete mjekësore dhe fonde për Kongon për të ndihmuar autoritetet e atjeshme që ta luftojnë përhapjen. Mbikëqyrja më e mirë është e nevojshme për të studiuar virusin dhe për të ndihmuar frenimin e përhapjes.
Por më 2022, një apel i OBSh-së për 34 milionë dollarë për ta luftuar “Linë e majmunëve” nuk është se mobilizoi donatorët, dhe kishte pabarazi të madhe se kush duhej të kishte qasje në doza vaksinash. Vendet afrikane nuk kishin qasje në dy doza në përhapjen botërore, të prodhuara prej “Bavarian Nordic” dhe “KM Biologics”. Dy vjet më vonë, situata është e ngjashme, megjithëse ka përpjekje për ta ndryshuar, ka bërë të ditur OBSH-ja të mërkurën derisa u bëri apel vendeve që kanë stoqe vaksinash t’i japin si donacione. Edhe mekanizmat afrikanë të shëndetësisë kanë thënë se po bëjnë përpjekje për të siguruar vaksina, porse ende nuk dihet se si do të sigurohen stoqet.
Pse duhet të shqetësohem unë?
“Lia e majmunëve” është një problem i theksuar shëndetësor që ua merr jetën personave më të cenueshëm në botë, përfshirë fëmijëve, dhe një formë e saj me gjasë po përhapet në forma të reja dhe në pjesë të reja të Afrikës.
Por, nuk është si puna e COVID-19. Deri tani, nuk ka dëshmi se përhapet lehtë nëpërmjet ajrit, si COVID-i, dhe ka mjete që janë provuar se funksionojnë për të ndalur përhapjen dhe se i ndihmojnë të rrezikuarit.
Sfida e tanishme, që shpallja e emergjencës mëton të vërë në pah, është që të sigurohet që ato mjete të arrijnë te personat që u duhen më së shumti, në Kongo dhe në vendet fqinje.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com