Banner design for pancreatic cancer awareness month

Pse kanceri në pankreas është kaq vdekjeprurës?

Pankreasi është një organ i vogël që ndodhet në bark pranë stomakut, fshikëzës së tëmthit, mëlçisë dhe zorrës së hollë dhe është përgjegjës për tretjen dhe prodhimin e hormoneve.

Ekzistojnë dy lloje të ndryshme të qelizave të pankreasit që e trajtojnë ose tretjen ose kontrollin e sheqerit në gjak – qelizat ekzokrine dhe qelizat endokrine – dhe të dy llojet e qelizave mund të çojnë në kancer, megjithëse tumoret në qelizat ekzokrine ose ato që ndihmojnë në tretje, priren të jenë më agresive dhe vdekjeprurëse, thotë për Health Timothy Frankel, profesor i asociuar i kirurgjisë në Universitetin e Miçiganit.

“Një nga gjërat që është vërtet interesante për kancerin e pankreasit është se ai nuk është një kancer aq i zakonshëm, por është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve nga kanceri në Shtetet e Bashkuara”, thotë për Health.com, Felice Schnoll-Sussman, drejtoreshë e Qendrës Jay Monahan, për Shëndetin gastrointestinal në Qendrën Mjekësore të NewYork-Presbyterian Weill Cornell.

“Vetëm një numër i vogël e pacientëve me kancer pankreasi janë gjallë pesë vjet pas diagnozës së tyre”.

Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, shkalla e mbijetesës relative pesëvjeçare për kancerin e pankreasit është 12%.

Arsyeja për këtë, në fund të fundit, është se shumica e njerëzve që diagnostikohen me kancer pankreatik nuk e dinë se e kanë atë derisa kanceri i tyre të ketë përparuar tashmë, shpjeguan ekspertët. Dhe ky kancer i fazës së mëvonshme është shpesh shumë i vështirë për t’u trajtuar.

Kanceri i pankreasit përhapet shpejt, thotë Dr. Frankel, gjë që shpjegon pjesërisht pse është kaq e vështirë për ta marrë një diagnozë të hershme. Edhe kur tumori është i vogël, tha ai, mund të fillojë të përhapet, ose të metastazojë, në të gjithë trupin.

“Zakonisht zbulohet pasi është përhapur tashmë nga tumori origjinal në diku tjetër në trup”, thotë Dr. Frankel.

“Dhe sapo të ndodhë kjo, atëherë operacioni – i cili është me të vërtetë i vetmi opsion kurues për kancerin e pankreasit – nuk është më një opsion”.

Arsyeja tjetër që kanceri i pankreasit shpesh zbulohet vonë është se njerëzit shpesh nuk përjetojnë ose nuk i vërejnë simptomat e sëmundjes në fillim, shpjeguan ekspertët.

“Shenjat mund të duken si shumë gjëra të tjera dhe mund të jenë shumë, shumë delikate”, thotë Dr. Schnoll-Sussman. “Nuk ka shpesh shenja dhe simptoma të kancerit të pankreasit që 100% të tregojnë pankreasin”.

Verdhëza, ose zverdhja e lëkurës dhe e syve, ndonjëherë është një shenjë e kancerit të pankreasit, megjithëse jo të gjithë pacientët do ta përjetojnë këtë, shpjegon Dr. Schnoll-Sussman. Simptoma të tjera përfshijnë dhimbje barku, të përzier, të vjella, humbje peshe, humbje të oreksit, apo edhe ndonjëherë fillimin e diabetit, shtoi ajo.

Mirëpo është e lehtë për pacientët që t’i fshijnë këto simptoma, ose që shenjat e kancerit të pankreasit të ngatërrohen me sëmundjen e zorrës së irrituar, problemet e fshikëzës së tëmthit ose diçka tjetër, shton ajo.

Përveç simptomave të lidhura, tumori aktual në pankreas është gjithashtu sfidues për t’u dalluar si për pacientin ashtu edhe për profesionistët e kujdesit shëndetësor.

“Nuk është si kanceri i gjirit apo kanceri i prostatës, ku ai ndikon në gjërat që njerëzit mund t’i shohin ose ndjejnë”, shpjegon Dr. Templeton. “Dhe shumë nga imazhet tona tipike e kanë të vështirë ta vizualizojnë kancerin e pankreasit. Pra, nuk është se një ekografi e barkut domosdoshmërisht do t’i zbulonte gjërat”.

Si e dini nëse jeni me rrezik të lartë dhe çfarë mund të bëni për të?

Sado e vështirë të jetë gjetja e kancerit të pankreasit në fazat e hershme, sigurisht që mund të bëhet, thotë Dr. Schnoll-Sussman. Megjithëse janë një përqindje e vogël, njerëzit i mbijetojnë diagnozës, shtoi ajo.

Një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është përmes ekzaminimeve, përsëri, për shkak se sa e vështirë është të vërehet tumori ose simptomat e tij në fazat e hershme. Por ndryshe nga kanceri i gjirit ose kanceri i zorrës së trashë, nuk ka asnjë rekomandim për shqyrtimin e popullatës së përgjithshme për kancer pankreatik.

“Për momentin, nuk ka të ashtuquajtura teste të zbulimit të hershëm”, thotë Dr. Frankel. “Ka disa teste relativisht invazive për t’i kontrolluar kanceret e reja të pankreasit dhe për shkak se ato janë relativisht invazive, ne i rezervojmë ato për njerëzit që janë në rrezik më të lartë”.

Ata në rrezik të lartë do të nënkuptonin njerëz me një histori të fortë familjare të kancerit të pankreasit, ose ata me një rrezik të njohur gjenetik, dakordohen ekspertët.

Gjenet BRCA1 dhe BRCA2 – zakonisht të lidhura me kancerin e gjirit – mund ta rrisin gjithashtu rrezikun e një personi për kancer pankreatik, shpjegon Dr. Schnoll-Sussman. Ka gjithashtu disa mutacione gjenetike specifike që e bëjnë një person më të ndjeshëm ndaj pankreatitit dhe kancerit të pankreasit, shton tutje ajo.

“Nëse do të ishit pjesë e një familjeje dhe keni pasur shumë anëtarë të familjes që kishin kancer të pankreasit – veçanërisht nëse [ata kishin] kancer të pankreasit në një moshë të re – duhet të flisni me mjekun tuaj”, thotë Dr. Schnoll-Sussman. “Ne pastaj do të bënim teste gjenetike mbi atë individ për të kërkuar një nga këto lloje mutacionesh”.

Përveç faktorëve specifikë të rrezikut gjenetik, disa grupe të veçanta njerëzish kanë më shumë gjasa të kenë kancer pankreatik, megjithëse nuk është plotësisht e qartë se si janë të lidhura. Kanceri i pankreasit shihet më shpesh tek amerikanët e zinj, tek njerëzit që pinë duhan, tek meshkujt, tek të moshuarit dhe tek ata që janë mbipeshë. Disa kërkime kanë zbuluar se është në rritje edhe tek gratë e reja.

Njerëzit mund të flasin me mjekun e tyre rreth ekzaminimit për kancerin e pankreasit, veçanërisht nëse kanë një rrezik të lartë për shkak të historisë familjare. Kjo zakonisht përfshin imazherinë, thotë Dr. Schnoll-Sussman, të tilla si një skanim CAT ose një MRI.

Dhe nëse zbulohet kanceri i pankreasit, mjekët do ta përcaktojnë nëse mund ta heqin tumorin në mënyrë kirurgjikale apo jo. Nëse kanceri nuk është përhapur ndjeshëm, thotë Dr. Frankel, mjekët mund të jenë në gjendje ta heqin tumorin. Por në varësi të vendit ku ndodhet tumori, ai operacion mund të jetë tepër invaziv, thonë që të dy, Dr. Templeton dhe Schnoll-Sussman.

Mjekët gjithashtu mund të japin kimioterapi për pacientët me kancer pankreatik, si me dhe pa operacion. Aktualisht ekzistojnë dy opsione imunoterapie për disa lloje të kancerit të pankreasit, dhe të tjerët janë aktualisht në prova klinike.

“Fatkeqësisht, të gjitha terapitë që ne kemi aktualisht janë relativisht joefektive”, thotë Dr. Frankel. “Kanceri i mushkërive, melanoma, kanceri i veshkave – tani kemi terapi të bazuara në imunitet ku në fakt po i kurojmë pacientët dhe shpesh po ua zgjasim ndjeshëm jetën. Nuk ekziston një terapi e tillë për kancerin e pankreasit”.

Më shumë kërkime për ta përmirësuar prognozën në të ardhmen

Sado e vështirë të jetë një diagnozë e kancerit të pankreasit, nuk është gjithçka “zi”, thotë Dr. Templeton.

Hulumtimet për terapitë janë aktualisht në vazhdim, thotë ai, siç janë përparimet në gjenetikë në mënyrë që pacientët të mund të marrin trajtime të synuara, shton Dr. Schnoll-Sussman.

Historikisht, shton Dr. Frankel, kërkimi për kancerin e pankreasit ka qenë i pafinancuar. Dhe më shumë vëmendje ndaj sëmundjes sigurisht që nuk i dëmton përpjekjet për të gjetur përparime të reja në terapi.

Ky diskutim publik rreth kancerit të pankreasit është gjithashtu i rëndësishëm sepse mund të jetë një katalizator për të mësuar më shumë se si të njihen simptomat e mundshme, dakordohen ekspertët. Njerëzit që dyshojnë se diçka nuk është në rregull mund të çojë në diagnoza më të hershme dhe norma më të mira të mbijetesës.

“Duhet ta njihni vërtet trupin tuaj, duhet ta kuptoni vërtet veten. Nëse diçka po ndryshon tek ju, nuk mund të vdisni nga frika”, shtoni Dr. Schnoll-Sussman. “Disa pacientë do të kenë shumë fat dhe do t’i zbulojnë këto sëmundje herët, por janë vetëm pacientët që duhet të paraqiten me kohë”./Health.com

Përgatiti: Nuhi Shala