Mamografia

Prishtinë, mamografia falas deri në fund të vitit

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se shërbimi i mamografisë do jetë falas gjatë gjithë vitit.

Sipas tij, vetëm gjatë muajit tetor, muaj i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, janë kryer 400 mamografi në kryeqytet.

“Gjatë muajit tetor janë realizuar 400 mamografi, 20 mamografi në ditë. Është dyfishuar numri i mamografive. Mamografia do të jetë falas gjatë gjithë vitit” – ka thënë Sadiku.

Shërbimi i mamografisë ofrohet falas në dy qendra të mjekësive familjare: QKMF (Qafa) – në Njësinë e Radiologjisë dhe QMF 5 – Dardani/Ulpianë.

Komuna e Prishtinës fillimisht kishte marrë vendim që në kuadër të tetorit – muajit rozë, ky shërbim të kryhej falas për të gjithë të interesuarit.

Po ashtu, Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, më 13 tetor ka thënë se nga 1 janari i vitit të ardhshëm gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit do të subvencionohen me proteza të gjirit.

Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka thënë se prej vitit në vit numri i rasteve me kancer të gjirit ka pasur rritje prej 3 deri në 5 për qind.

Sipas tij, në vitin 2021 numri i grave të diagnostikuara me kancer ka qenë 420 deri në 430.

Kurtishi theksoi se në Kosovë ka një trend të rritjes së rasteve si në të gjitha vendet e rajonit. Sipas ish-drejtorit të Onkologjisë, kanceri i gjirit zë vendin e parë prej tumoreve në përgjithësi në Kosovë.