Prezantohet ilaçi që ul në masë të madhe rrezikun e vdekjes nga kanceri i mushkërive

Ilaçi osimertinib u tregua se e përgjysmon rrezikun e vdekjes nga lloji më i zakonshëm i kancerit të mushkërive kur merret çdo ditë pas operacionit për heqjen e tumorit, sipas rezultateve të provës klinike të paraqitura të dielën.

Rezultatet u shpallën në Çikago në konferencën më të madhe vjetore të specialistëve të kancerit, të organizuar nga Shoqata Amerikane e Onkologjisë Klinike (ASCO).

Kanceri i mushkërive është forma më vdekjeprurëse e sëmundjes, me rreth 1.8 milionë vdekje në mbarë botën çdo vit.

Ilaçi i zhvilluar nga grupi farmaceutik AstraZeneca quhet osimertinib dhe shitet me emrin Tagrisso.

Ky ilaç e targeton kancerin e mushkërive te pacientët me të ashtuquajturin kancer të qelizave jo të vogla, lloji më i zakonshëm që tregon një lloj të caktuar mutacioni.

 Këto mutacione, në të ashtuquajturin receptor të faktorit të rritjes epidermale, ose EGFR, prekin 10 deri në 25 për qind të pacientëve me kancer të mushkërive në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, dhe 30 deri në 40 për qind në Azi.

Prova klinike përfshiu 680 pjesëmarrës në fazën e hershme të sëmundjes (fazat 1b deri në 3a), në më shumë se 20 shtete. Ata fillimisht duhej të operoheshin për ta hequr tumorin, më pas gjysma e pacientëve morën një ilaç të përditshëm dhe gjysma tjetër një ilaç placebo (një substancë ose trajtim që e krijuar të mos ketë asnjë vlerë terapeutike).

Rezultati tregoi se marrja e ilaçit rezultoi në një ulje prej 51 për qind të rrezikut të vdekjes për pacientët e trajtuar, krahasuar me ata që kishin marrë placebo.

Pas pesë vjetësh, 88 përqind e pacientëve që merrnin terapinë ishin ende gjallë, krahasuar me 78 përqind të pacientëve që merrnin placebo.

Këto të dhëna janë “mbresëlënëse”, ka deklaruar Roy Herbst nga Universiteti Yale, i cili i prezantoi në Çikago.

Ilaçi ndihmon në “parandalimin e përhapjes së kancerit në tru, mëlçi, kocka”, shtoi ai në konferencën për media.

Rreth një e treta e kancereve me qeliza jo të vogla mund të operohen kur zbulohen, deklaron ai.

“Mendoj se është e vështirë të përçohet se sa i rëndësishëm është ky zbulim”, deklaron Nathan Pennell nga Fondacioni Cleveland Clinic në një konferencë për media.

Osimertinib tashmë është miratuar në dhjetëra shtete për indikacione të ndryshme dhe rreth 700,000 njerëz e kanë marrë tashmë atë, sipas një njoftimi për shtyp nga AstraZeneca.

Herbst e vuri theksin tek nevoja për t’i kontrolluar pacientët për të zbuluar nëse ata kanë një mutacion EGFR. Ndryshe, shton ai, “ne nuk mund ta përdorim këtë trajtim të ri”.

Osimertinib, i cili e targeton receptorin, shkakton efekte anësore që përfshijnë lodhje të rëndë, skuqje të lëkurës ose diarre./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala