Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pretendime të rreme për shërim të sëmundjeve reumatike dhe sëmundjeve të eshtrave

Në rrjetet sociale janë duke u publikuar video e postime që pretendojnë se kanë ilaçin për shërimin e të gjitha sëmundjeve reumatike. Madje, nëpër postime pretendohet se mund të shmangen operacionet dhe vendosja e protezave në nyjat e këmbëve.

Në disa video të ndryshme të publikuara në “TikTok” [shih këtu arkiva, këtu (arkiva), këtu (arkiva), këtu (arkiva) dhe këtu (arkiva)] pretendohet se duke përdorur krem apo produkte të tjera mund të ketë efekte në ndaljen e të gjitha dhimbjeve që vijnë si pasojë e sëmundjeve reumatike apo të shërohen sëmundjet e nyjave.

Në një video tjetër pretendohet se lakra i shëron dhimbjet e nyjave.

“Mbështillni këmbën me lakër për 1 orë dhe thuaj lamtumirë dhimbjes së nyjeve nga artriti, inflamacioni ose ënjtja”- thuhet në fillim të kësaj video, e cila në vazhdim jep udhëzime se si të mbështillet këmba me lakër.

Krypometri ka konsultuar disa profesionistë shëndetësorë për të parë nëse këto kremra e receta të publikuara në “TikTok”, mund të shërojnë patologjitë e sëmundjeve reumatike.

Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu, ka thënë se marrja e barnave online pa konsulta paraprake me mjekun adekuat mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve.

“Sugjerimi im është që çdo pacient që ka dhimbje, sidomos koha është shumë e rëndësishme, duhet me e konsultu doktorin, jo vetëm që është e dëmshme por shitja e këtyre barnave është e edhe e jashtëligjshme, me marrë recetë, me marrë bar pa përshkrim, andaj të gjitha këto janë jolegjitime, joetike. Si epilog, çdo dhimbje, çdo shqetësim i pacientit duhet të trajtohet sipas udhëzimeve të doktorit adekuat”- ka thënë Kryeziu.

Ai ka shpjeguar se secili ilaç që përdoret ka efekte anësore, prandaj është e nevojshme që profesionistë shëndetësorë të bëjë përshkrimin e tyre në përputhje me gjendjen e pacientit, rezultatet e analizave dhe sëmundjet e tjera përcjellëse që mund të ketë ai.

“Çdo ilaç duhet të ketë përshkrimin, me ligje e rregullore shëndetësore, edhe për efektet anësore, çka mundet me bo dëm sepse çdo ilaç ka efekte anësore. Nuk ka ilaç pa efekte anësore, prandaj ne i dallojmë ku dhe kur me i dhanë, nëse një person ka probleme shëndetësore edhe të natyrave të tjera por edhe në të njëjtën kohë ne zgjedhim ilaçe që nuk shkaktojnë probleme p.sh. në lukth. Për këto barna duhet bërë një hulumtim, duhet të ndërmarrë masa shteti”- ka thënë Kryeziu.

Trajtimi i këtyre sëmundjeve, sipas tij, bazohet në tri fusha kryesore. Tutje, ai ka shpjeguar se grupi i parë i ilaçeve janë simptomatike, pra ndikojnë në zbutjen e simptomave si dhimbjes e inflamacionit.

“Grupi i dytë është terapia modifikuese, që e ndryshon ecurinë e rrjedhës së sëmundjes, ose e ndal procesin”- ka thënë ai duke shtuar se në grupin e tretë bëjnë pjesë suplementet.

“Diagnostikimi kalon në disa drejtime, analizat, serologjia, rezonancën, ultrazëri etj. Kur vendoset diagnoza, në bazë të protokolleve të cilat nuk i kemi shpikë ne, e bëjmë mjekimin, në bazë të gjetjes, në bazë të diagnozës, tash disa kanë nevojë më tepër për terapi medikamentoze e pastaj fizioterapi e një grup tjetër kur vjen te dekompozimi i nyjës, dëmtimi i rrallë i nyjës, këtu hyn në punë edhe kirurgjia”- thotë Kryeziu.

Reumatologia Arbnora Shabani Berisha thotë se është esenciale që secili ilaç apo suplement të ketë informacione për çfarë përdoret, efektet anësore, prodhuesin etj.

Ajo ka thënë se ka produkte që reklamohen nëpër rrjetet sociale që pa bazë shkencore pretendohet se kanë efekte në të gjitha llojet e artritit.

Arbnora Shabani Berisha ka dhënë sqarime për këtë sëmundje në një postim në profilin (arkiva) në Facebook, duke thënë se nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjave, madje edhe në invaliditet si dhe në prekje të organeve të trupit.

“Artriti reumatoid është sëmundje inflamatore e nyjeve, shoqërohet edhe me deformime të nyjeve, nëse mjekimi nuk fillon me kohë. Zakonisht zhvillohet në mes të moshës 45 dhe 65 vjeç, por mund të paraqitet në çdo moshë. Gratë sëmuren tre herë më shpesh se sa meshkujt. Artriti reumatoid më shpesh prek nyjet e vogla të duarve, por mund të zhvillohet në çdo artikulacion. Pacientët ndiejnë dhimbjen më të fortë në mëngjes pas zgjimit. Dhimbja shoqërohet me një ndjenjë të ngurtësisë afatgjate të duarëve që zgjatë për më shumë se gjysmë ore. Sëmundja zakonisht fillon gradualisht, por ndonjëherë ndodh papritmas, kur preken disa nyje në të njëjtën kohë. Dhimbja zakonisht shoqërohet me ënjtje të nyjeve, gjë që e komplikon më tej funksionimin. Nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet si dhe në prekje te organeve të trupit”- ka shkruar ajo në faqen e saj në Facebook (arkiva).

Tutje, ajo ka thënë se është esenciale identifikimi i hershëm i sëmundjes, pasi ata kanë gjasa më të mëdha për trajtimin e saj.

“Trajtimi bëhet me Kortikosteroide si dhe gati se gjithmonë duhet të fillohet me Metotreksat në dozën e duhur. Në pacientët tek të cilët Metotreksati është i pamjaftueshëm ose ka treguar efekte anësore, ekzistojnë një numër barërash të tjerë që mund të përdoren”- ka shkruar tutje ajo.

A mund të shërohen osteoartriti dhe frakturat osteoporotike?

Reumatologu Besim Demolli ka thënë se osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike janë sëmundje kronike të pashërueshme.

“Trajtimi për këto sëmundje fokusohet në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Kjo përfshin terapinë fizike për përmirësimin e forcës dhe fleksibilitetit, modifikimet në stilin e jetës, për menaxhimin e peshës dhe reduktimin e barrës në nyje, medikamentet për lehtësimin e dhimbjes dhe inflamacionit, si dhe ndërhyrjet kirurgjikale në raste të rënda. Është e rëndësishme të shmangen suplementet e paprovuara dhe të panevojshme që nuk rekomandohen nga organizata të respektuara si ACR dhe EULAR, pasi ato mund të jenë jo vetëm të panevojshme, por edhe potencialisht të dëmshme”- tha Demolli.

Ai ka thënë se këto sëmundje kronike nuk mund të shërohen me suplemente që shiten online.

“Suplementet, veçanërisht ato të reklamuara si kurative ose si zgjidhje mrekullibërëse, shpesh mund të jenë objekt i marketingut të tepruar dhe mund të japin premtime të pasigurta. Nëse suplementet sugjerohen si pjesë e një plani të trajtimit, këto sugjerime duhet të jenë të mbështetura nga një profesionist shëndetësor dhe të bazohen në një vlerësim të plotë dhe të saktë të nevojave të pacientit”- tha tutje reumatologu Demolli për Krypometër.

Ortopedi Zukë Xani thotë se trajtimi i sëmundjes osteoartriti është shumë kompleks.

“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intrartikulare, fizioterapisë e deri në intervenim kirurgjik, pra gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja”- tha Xani për Krypometër.

Për sa i përket ‘hallux valgus’, ortopedi Agron Mahmuti ka thënë se rekomandohet operimi.

“Për hallux valgus, shkaktarët janë të shumtë. Në format e avancuara, ne rekomandojmë operim.”- tha Mahmuti për Krypometër