Thellohet kriza e COVID-19 rritet numri i pacientëve në gjendje të rëndë

Në Spitalin Rajonal të Pejës aktualisht janë duke u trajtuar 21 pacientë me COVID-19, 14 prej tyre janë nën asistimin me oksigjeno – terapi, pesë janë në gjendje të rëndë.

Nga raporti ditor i spitalit të Pejës tutje bëhet e ditur se gjatë 24 orëve është shëruar një pacientë nga infektimi me coronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar dje se në komunën e Pejës janë regjistruar 10 raste të reja të infektimit me SARS-CoV-2, përderisa në nivel vendi janë regjistruar 205 raste të infektimit me coronavirus, dhe janë shpallur të shëruar 62 persona të tjerë.

Komuna e Prishtinë aktualisht ka numrin më të lartë të të infektuarve, dje janë regjistruar edhe 111 raste.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 18 mijë e 148 raste me COVID-19, 15 mijë e 150 janë shëruar ndërsa 666 kanë vdekur.
Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.