Për rritjen e rrezikut nga COVID-19, flet infektologu Salih Ahmeti

Pandemia COVID-19 ka prekur 418 persona brenda 24 orëve në Kosovë duke shënuar numrin më të madh të të infektuarve brenda ditës.

Rreziku se do të rritet ende numri i rasteve të të infektuarve në nivel vendi ekziston, ka konfirmuar infektologu në Klinikën Infektive në QKUK, Salih Ahmeti.

“Nëse vazhdon kështu (rritja e numrit të rasteve), si mundësi ekziston rritja e rasteve. Ne kemi fillu të kemi edhe shtim të numrit të rasteve për spitalizim edhe pse deri më tani nuk kemi ndonjë rritje enorme, kemi një rritje të menaxhueshme”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Kur numri i rasteve rritet, bashkë me të rritet edhe numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore nëpër institucionet shëndetësore.

Ahmeti tha për KALLXO.com se nëse ka rritje të pakontrolluar të rasteve do të vështërsohet menaxhimi nëpër institucionet shëndetësore në vend.

“Nëse vazhdon me u rritë ky numër në mënyrë të pakontrolluar atëherë menaxhimi do të vështërsohet sidomos në këtë sezonë ku menaxhimi i këtyre rasteve në këtë sezonë është më i vështirë për faktin se këtu ndërlidhet edhe virusi sezonal, dhe lindin probleme të reja diagnostike, terapeutike e menaxheriale”, u shpreh infektologu Ahmeti.

Ai thotë se rritja e rasteve me COVID-19 ka vështërsuar sistemin shëndetësor edhe nëpër vende të ndryshme në botë.

Ahmeti nuk përjashton mundësinë e ashpërsimit të masave në përpjekje për parandalim të rritjes së rasteve të coronavirusit.

“Kjo varet nga situata epidemiologjike. Unë jam që të mos vimë deri te situata kur duhet të ashpërsohen. (por) ato janë të detyrueshme nëse vimë në situatë të pakontrollueshme”, theksoi Ahmeti.

Tutje, ai theksoi se duhet të njerëzit duhet të mësohen të jetojnë me këtë virus, përderisa bëri thirrje te qytetarët që të respektojnë masat, të mbajnë maskën në mënyrë të duhur duke mbuluar edhe gojën edhe hundën, të mos grumbullohen dhe të mbajnë distancën dhe të mbajnë higjienën.

Numri total i rasteve positive në vend është 19.328 raste nga 92.706 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 678 raste të vdekjes.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Numër rekord i rasteve të reja me COVID-19