Foto: Facebook

Pejë, 26 pacientë në gjendje të rëndë nga COVID-19

Katër pacientë me COVID-19 në Spitalin Rajonal të Pejës janë duke u asistuar me maskë CPAP, maska CPAP përdoret për pacientët të cilët kanë vështirësi në frymëmarrje.

Në këtë spital aktualisht janë duke u trajtuar 134 pacientë me COVID-19, 88 prej tyre janë në oksigjeno- terapi ndërsa 26 janë në gjendje të rëndë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje ka njoftuar se në komunën e Pejës është regjistruar një vdekje si pasojë e coronavirusit, përderisa janë regjistruar 28 raste të reja.

Deri më tani në nivel vendi 1,062 persona kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.