Pejë, 11 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

Në Spitalin Rajonal të Pejës i cili përfshinë Pejën, Deçanin, Istogun dhe Klinën janë duke u trajtuar 65 pacientë të infektuar me SARS-CoV-2.

Nga raporti ditor i spitalit bëhet e ditur se një pacient është duke u asistuar me respirator, 11 të tjerë janë në gjendje të rëndë ndërsa  46 pacentë janë në oksigjeno – terapi.

“Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 182 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë, pacientë dhe nga këta 23 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet tutje në njoftim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje ka bërë të ditur se në Kosovë nga mostrat e marrura gjatë 24 orëve janë regjistruar 299 raste të reja me SARS-CoV-2, përderisa është shënuar një rast i vdekjes si pasojë e infeksionit.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes.

Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar. Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Kosova ka shënuar rastet e para me COVID-19 më 13 mars 2020, deri më tani mbi 50 mijë qytetarë rezultojnë të infektuar me SARS-CoV-2, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur.