Pas takimit me Shpend Ahmetin, ministri Zemaj paralajmëron masa të reja   

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar se do të dalin me masa të reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në nivel vendi.

Këtë paralajmërim Zemaj e bëri pas takimit me Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Dy javët e fundit, Prishtina ka qenë epiqendra e infeksionit në vendin tonë. Ky fakt shqetësues na detyron që shumë shpejtë të dalim me vendime për masa të reja për Kosovën në përgjithësi, por, për Prishtinën në veçanti”, ka shkruar Zemaj në Facebook pas këtij takimi.

Për 14 ditë në kryeqytet janë shënuar 700 raste të reja të infektimit me SARS-CoV-2, dhe sipas Ministrit një situatë e tillë kërkon mobilizim maksimal për të gjithë.

Zemaj tutje ka shkruar se gjatë takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar që bashkë me shtabet emergjente dhe task forcën të shtojnë vëmendjen nëpër shkolla, transporte publike, gastronomi e në të gjitha vendet ku paraqitet rreziku nga përhapjes së pandemisë COVID-19.

Kosova është duke u përballuar më përhapjen e pandemisë së coronavirusit që nga muaji mars i këtij. Deri më tani janë infektuar 18,148 persona, prej të cilëve 15,150 janë shëruar ndërsa 666 kanë vdekur.