Tiny women eating fatty fish, vitamin D, cheese and sunbathing flat vector illustration. Cartoon ladies using food supplements for deficiency reduction. Wellbeing and health concept

Paralajmërim për "mbidozë" të vitaminës D pas muajsh me të vjella dhe hospitalizim të një individi

Një burrë që ka konsumuar suplemente të vitaminës D shumë më tepër se kërkesat ditore, ka pësuar pasoja të rënda shëndetësore për muaj të tërë.

Në një rast që nxjerr në pah rreziqet e mbidozimit të suplementeve, një burrë i moshës së mesme u shtrua në spital në Mbretërinë e Bashkuar pasi vuajti nga të vjella të përsëritura dhe simptoma të tjera serioze për tre muaj.

Mjekët tani po paralajmërojnë se rasti ishte një shembull i hipervitaminozës D – termi zyrtar për një mbidozë të vitaminës D – një fenomen që është në rritje për shkak të popullaritetit të suplementeve.

Hipervitaminoza D mund të shkaktojë grumbullim të kalciumit në gjak, gjë që mund të shkaktojë marramendje dhe të vjella, dobësi dhe urinim të shpeshtë, sipas klinikës Mayo. Qendra mjekësore amerikane thotë gjithashtu se toksiciteti i vitaminës D mund të shkaktojë dhimbje kockash dhe probleme me veshkat, siç është formimi i gurëve të kalciumit.

Mjekët kanë paralajmëruar për rreziqet e mbidozimit të vitaminës D në revistën BMJ Case Reports pasi e kanë trajtuar njeriun në fjalë.

Të vjella, të përziera, dhimbje barku

Burri në fjalë u referua në spital nga mjeku i tij i familjes pasi vuante nga një sërë simptomash të rënda, të cilat iu shfaqen një muaj pasi ai filloi një regjim intensiv me suplemente vitaminash.

Simptomat e tij, të cilat zgjatën për tre muaj, përfshinin të vjella të përsëritura, të përziera, dhimbje barku, ngërçe në këmbë, tringëllimë në vesh, gojë të thatë, etje të shtuar dhe diarre.

Ai gjithashtu humbi 12.7 kg në peshë gjatë kësaj kohe.

Pacienti ndaloi së marruri dozën e tij ditore të suplementit sapo u shfaqën këto simptoma, por ato nuk u larguan.

Analizat e gjakut të urdhëruara nga mjeku i tij i familjes zbuluan se ai kishte nivele shumë të larta të kalciumit dhe nivele pak të larta të magnezit. Niveli i tij i vitaminës D ishte shtatë herë më i lartë se niveli i rekomanduar.

Ai u zbulua gjithashtu se kishte lëndim akut të veshkave dhe organet nuk po punonin siç duhet.

Burri u mbajt në spital për tetë ditë dhe iu dhanë lëngje për të shpëlarë sistemin e tij, si dhe një trajtim për t’i ulur nivelet e kalciumit në gjakun e tij.

Suplemente shtesë pa recetë

Pacienti filloi regjimin e tij të suplementeve me këshillën e një terapisti ushqimor.

Autorët e studimit paralajmërojnë se raste të tilla janë në rritje globalisht, për shkak të popullaritetit në rritje të suplementeve të promovuara nga reklamat, ndikuesit e shëndetit dhe nutricionistët.

Burri që trajtohej nga mjekët kishte marrë doza të larta prej më shumë se 20 suplementeve pa recetë çdo ditë.

Këto përfshinin 150,000 njësi ndërkombëtare (IU) të vitaminës D, më shumë se 300 herë më shumë se doza standarde e rekomanduar ditore.

Dy muaj pas daljes nga spitali, niveli i tij i kalciumit ishte kthyer në normalitet, por niveli i tij i vitaminës D ishte ende jashtëzakonisht i lartë.

Autorët e artikullit të revistës paralajmëruan se “globalisht, ka një tendencë në rritje të hipervitaminozës D, një gjendje klinike e karakterizuar nga nivele të larta të vitaminës D3 në serum”.

Gratë, fëmijët dhe pacientët kirurgjikë janë më të rrezikuarit për t’u prekur, shtuan ata.

Dr. Alamin Alkundi, endokrinolog dhe bashkëautor i raportit, tha për Euroneës Next se nevojitet më shumë ndërgjegjësim publik për të parandaluar përdorimin e tepërt ose përdorimin e pambikëqyrur të suplementeve të vitaminës D. Ai shtoi se ekzistojnë rreziqe edhe me suplementet e tjera pa recetë.

“Praktikisht, është e mundur ta mbidozoni çdo suplement ose agjent ushqyes (përfshirë ujin), dhe kjo është veçanërisht e vërtetë nëse mëlçia dhe/ose veshkat nuk funksionojnë mirë”, tha ai përmes një e-maili.

“Prandaj duhet pasur kujdes për ta shmangur mbidozimin e çdo suplementi”.

Marrja e rekomanduar e vitaminës D

Ndërkohë që autorët paralajmërojnë për rreziqet e mbidozimit të saj, vitamina D është e rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm dhe Instituti Kombëtar Shëndetësor, NHS, rekomandon që njerëzit të marrin një suplement gjatë vjeshtës dhe dimrit.

Kjo për shkak se burimi më i mirë i vitaminës D është nga rrezet e diellit, e cila sipas tyre nuk është mjaft e fortë gjatë muajve të dimrit për t’i siguruar trupit mjaftueshëm vitaminë.

Vitamina D mund të gjendet edhe në disa ushqime, duke përfshirë peshkun me vaj si salmoni, sardelet, harengën dhe skumbri; mish i kuq; mëlçia; të verdhat e vezëve; dhe disa ushqime të fortifikuara si drithërat e mëngjesit.

Vitamina D ndihmon në rregullimin e sasisë së kalciumit dhe fosfatit në trup, lëndë ushqyese që nevojiten për t’i mbajtur kockat, dhëmbët dhe muskujt të shëndetshëm.

Megjithatë, për shumicën e njerëzve, suplementi i rekomanduar ditor është vetëm 10 mikrogramë (μg), ose 400 IU, sipas udhëzimeve të NHS.

Një mikrogram është 1000 herë më i vogël se një miligram (mg).

NHS u bën thirrje njerëzve që të mos marrin më shumë se 100 μg (4000 IU) vitaminë D në ditë pasi mund të jetë e dëmshme. Kjo vlen për të rriturit, duke përfshirë gratë shtatzëna dhe gjidhënëse dhe të moshuarit, dhe fëmijët e moshës 11 deri në 17 vjeç.

Fëmijët e moshës 1 deri në 10 vjeç nuk duhet të kenë më shumë se 50 μg (2000 IU) në ditë. Foshnjat nën 12 muaj nuk duhet të kenë më shumë se 25 μg (1000 IU) në ditë.

Në Shtetet e Bashkuara, një dozë ditore prej 15 μg ose 600 IU e vitaminës D rekomandohet për shumicën e të rriturve, megjithëse për ata mbi 70 vjeç, doza rritet në 20 μg ose 800 IU çdo ditë.

Autorët e studimit thonë se simptomat e toksicitetit të vitaminës D janë të ndryshme dhe mund të përfshijnë përgjumje, konfuzion, apati, psikozë, depresion, koma, anoreksi, ulçera, pankreatit, presion të lartë të gjakut dhe ritëm jonormal të zemrës, së bashku me simptomat të cilat pacienti i lartcekur i ka përjetuar.

Ata paralajmërojnë se shumë njerëz mund të mos jenë të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme të marrjes së shtesave dietike në “sasi të pasigurta ose në kombinime të pasigurta” dhe se njerëzit duhet të pyesin mjekun e tyre përpara se të fillojnë ndonjë terapi alternative ose regjim medicinal pa recetë. /Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala