Fotot Oda e FARMACISTEVE

OFK: Rregullimi i çmimit të barnave është kërkesa jonë tash e dy dekada

Në Kuvendin e Kosovës sot gjatë seancës në mes të tjerash është diskutuar edhe për rregullimin e çmimeve të barnave dhe mungesën e tyre ne treg.

Pas kësaj ka reaguar Oda e Farmacistëve të Kosovës. Në reagimin e tyre thuhet se rregullimi i çmimeve të barnave ka qenë kërkesë e tyre tash e dy dekada në sektorin farmaceutik.

Sipas tyre sektori farmaceutik është më i atakuar nga lëvizja e çmimeve në këtë kohë pandemie, gjë që sipas tyre nuk ka ardhur nga barnatoret por nga “një hallkë e gjatë e zinxhirit që nga prodhimi e më tutje, me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme për realizimin e unifikimit të çmimit të barnave”.

Në reagim thuhet se OFK mirëpret iniciativën ligjore të ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës për inicimin e procedurave për miratimin e Ligjit për Rregullimin e Çmimit të barnave.

“Oda Farmacistëve të Kosovës shpreson në unifikimin dhe përkrahjen e plotë të gjithë skenës politike rreth çështjes së rregullimit të çmimit të barnave pasi iniciativa për miratimit e këtij ligji në procedura të shkurtuara është miratuar edhe në planin legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2021”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se, në disa barnatore të Prishtinës një ampullë ‘Remdesivir’ ilaç që përdorej për pacientët me COVID-19, është shitur 200 euro, për të cilën pati hulumtuar KALLXO.com dhe menjëherë pas hulumtimit çmimi i barit ishte zbritur në 50 euro.

Në Prishtinë lulëzon biznesi me ilaçet për coronavirus, çmimet deri në 2 mijë euro