Oda e Mjekëve ndan mirënjohje përkujtimore për 16 mjekët që vdiqën nga COVID-19

Oda e Mjekëve të Kosovës ka dhënë mirënjohje përkujtimore për familjarët e mjekëve që kanë vdekur gjatë vitit 2020 dhe institucioneve shëndetësore të rajonit të  Prishtinës për kontributin e dhënë në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka ndarë mirënjohje përkujtimore për 16 familjarët e mjekëve të vdekur nga COVID-19.

Drejtori i Shërbimit Spitalor të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka përkujtuar kolegët e tij të vdekur nga pandemia duke thënë se kjo fazë është shumë sfiduese për punëtorët shëndetësor për të dhënë maksimumin profesional gjatë punës.

“Ju shprehë ngushëllime për familjarët e rënë dhe ju them se nuk ka vdekje më të mirë se të vdesësh duke ju shërbyer të afërmeve e ata kanë qenë duke ju shërbyer pacientëve. Nuk është e lehtë edhe për ne sepse kam pasur rastin që disa i kam pasur pacientë e më kujtohen fjalët e fundit të tyre. Ne po kritikohemi për mënyrën e kryerjes së shërbimeve por punëtorët shëndetësorë në Kosovë e kanë dhënë provimin sepse të kesh një familjar mjek e duke ju shërbyer pacientëve në këtë kohe është krenari”, ka thënë Krasniqi.