Ilustrim

OBSh: Vdekjet reale nga COVID-19 në botë janë afër 15 milionë

Pandemia COVID-19 ka shkaktuar vdekjen e afër 15 milionë njerëzve në mbarë botën, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).

Kjo është 13% më shumë vdekje sesa pritej normalisht gjatë dy viteve.

OBSh beson se shumë vende nuk i kanë numëruar saktë të vdekurit nga COVID-19, pasi vetëm 5.4 milionë vdekje janë raportuar.

Në Indi, kishte 4.7 milionë vdekje nga coronavirusi, 10 herë më shumë se shifrat zyrtare dhe pothuajse një e treta e vdekjeve nga COVID-19 në nivel global, sipas OBSh.

Qeveria indiane e ka vënë në dyshim vlerësimin, duke thënë se ka “shqetësime” për metodologjinë, por studime të tjera kanë arritur në përfundime të ngjashme në lidhje me shkallën e vdekjeve në këtë vend.

Masa e përdorur nga OBSH quhet “vdekje tepricë” – sa shumë njerëz kanë vdekur sesa do të pritej normalisht bazuar në vdekshmërinë në të njëjtën zonë përpara se atë zonë ta godiste pandemia.

Këto kalkulime i marrin gjithashtu parasysh vdekjet që nuk ishin drejtpërdrejt të shkaktuara nga COVID-i, por përkundrazi të shkaktuara nga efektet e tij të dëmshme, si p.sh., njerëzit që nuk patën mundësi të kenë qasje nëpër spitale për ta marrë kujdesin që u nevojitej. Gjithashtu llogaritet për mbajtjen e dobët të të dhënave në disa rajone dhe testime të rralla në fillim të krizës.

Por OBSH thotë se shumica e 9.5 milionë vdekjeve shtesë që shihen mbi 5.4 milionë vdekjet e raportuara nga COVID mendohej se ishin vdekje të drejtpërdrejta të shkaktuara nga virusi, sesa vdekje indirekte.

Duke folur për shkallën e shifrave, Dr. Samira Asma, nga departamenti i të dhënave të OBSH-së, e konsideron krejt këtë si një tragjedi.

“Është një shifër marramendëse dhe është e rëndësishme për ne që t’i nderojmë jetët e humbura, dhe ne duhet t’i mbajmë përgjegjës politikëbërësit”, tha ajo.

“Nëse nuk i numërojmë të vdekurit, do ta humbasim mundësinë për të qenë më të përgatitur për herën tjetër”.

Krahas Indisë, vendet me numrin më të madh të vdekjeve të tepërta përfshijnë Rusinë, Indonezinë, SHBA-në, Brazilin, Meksikën dhe Perunë, sugjerojnë shifrat e OBSH-së. Shifrat për Rusinë janë tri herë e gjysmë më shumë se vdekjet e regjistruara në këtë vend.

Raporti gjithashtu i shikon normat e vdekjeve të tepërta në raport me madhësinë e popullsisë së secilit vend. Shkalla e tepërt e vdekshmërisë në Mbretërinë e Bashkuar – si Amerika, Spanja dhe Gjermania – ishte mbi mesataren globale gjatë viteve 2020 dhe 2021.

Vendet me shkallë të ulët të vdekshmërisë së tepërt përfshinin Kinën, e cila ende po ndjek një politikë të “zero COVID” që përfshin testime masive dhe karantina, Australinë, e cila vendosi kufizime të rrepta udhëtimi për ta mbajtur virusin jashtë vendit, Japoninë dhe Norvegjinë.

Akademikët që kanë ndihmuar në përpilimin e raportit pranojnë se vlerësimet e tyre janë më spekulative për vendet në Afrikën Sub-Sahariane, sepse ka pak të dhëna për vdekjet në rajon. Nuk kishte statistika të besueshme për 41 nga 54 vende në Afrikë.

Statisticienti Jon Wakefield, nga Universiteti i Uashingtonit në Seattle, e ka ndihmuar OBSh-në dhe i ka thënë BBC se “ne kemi nevojë urgjente për sisteme më të mira të mbledhjes së të dhënave.

“Është një turp që njerëzit mund të lindin dhe të vdesin – dhe ne nuk kemi të dhëna për vdekjen e tyre”, tha ai. 

“Pra, ne me të vërtetë duhet të investojmë në sistemet e regjistrimit të vendeve në mënyrë që të marrim të dhëna të sakta dhe në kohë.”/BBC