Simptomat e lisë së majmunëve. Foto: REL

OBSh: Bota po përballet me sfida të frikshme

Bota po përballet me sfida “të frikshme”, duke përfshirë COVID-in, luftën në Ukrainë dhe linë e majmunëve, ka paralajmëruar kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Këto komente Ghebreyesus i ka bërë teksa po fliste në Gjenevë, ku ekspertët e agjencisë shëndetësore të OKB-së po diskutonin për shpërthimin e lisë së majmunëve në 15 vende jashtë Afrikës.

Më shumë se 80 raste janë konfirmuar në Evropë, SHBA, Kanada, Australi dhe Izrael.

Megjithatë, rreziku për publikun e gjerë thuhet të jetë i ulët.

Lija e majmunëve – virusi që është më i zakonshëm në pjesët e largëta të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore – nuk ka tendencë të përhapet lehtësisht midis njerëzve dhe sëmundja zakonisht është e lehtë.

Shumica e njerëzve që infektohen me këtë virus shërohen brenda pak javësh, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar.

Përhapja i ka befasuar shkencëtarët dhe zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ata kanë lëshuar këshilla të reja, duke thënë se kontaktet me rrezik të lartë të rasteve duhet të izolohen për tri javë. Belgjika u bë vendi i parë që shpalli një karantinë tri-javore për personat e infektuar të premten.

Më shumë raste të konfirmuara pritet të bëhen të ditura në Mbretërinë e Bashkuar të hënën, raporton gazeta The Guardian.

Duke folur në hapjen e Asamblesë Botërore të Shëndetit të agjencisë së tij të dielën, Dr. Tedros tha: “Sigurisht, pandemia [Covid] nuk është e vetmja krizë në botën tonë.

“Ndërkohe që ne po flasim, kolegët tanë në mbarë botën po i përgjigjen shpërthimeve të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, lisë së majmunëve, hepatitit të një shkaku të panjohur si dhe krizave komplekse humanitare në Afganistan, Etiopi, Somali, Sudanin e Jugut, Republikën Arabe Siriane, Ukrainë dhe Jemen.

“Ne përballemi me një konvergjencë të frikshme të sëmundjeve, thatësirës, urisë dhe luftës, të nxitur nga ndryshimet klimatike, pabarazia dhe rivaliteti gjeopolitik”, shtoi kreu i OBSH-së.

OBSH tha më herët se një numër i rasteve të tjera të dyshuara të lisë së majmunëve po hetoheshin – pa përmendur vendet e përfshira – dhe paralajmëroi se më shumë infeksione kishte të ngjarë të konfirmoheshin.

Pasi shpërthimi i lisë së majmunëve u identifikua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, virusi filloi të zbulohej në të gjithë Evropën – me agjencitë e shëndetit publik në Spanjë, Portugali, Gjermani, Belgjikë, Francë, Holandë, Itali dhe Suedi duke konformuar rastet në vendet e tyre.

Raste të tjera u konfirmuan në Austri dhe Zvicër të dielën.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar ka identifikuar 20 raste deri më tani dhe këshilltarja kryesore e kësaj agjencie mjekësore Dr Susan Hopkins i tha programit të mëngjesit të së dielës të BBC: “Ne po zbulojmë më shumë raste në baza ditore”.

Ajo tha se virusi tani po përhapet në komunitet – me raste të zbuluara që nuk kanë pasur kontakt me askënd që ka vizituar Afrikën Perëndimore, ku sëmundja është endemike.

Por rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet “jashtëzakonisht i ulët”, me rastet e deritanishme të gjetura kryesisht në disa zona urbane dhe midis burrave homoseksualë ose biseksualë, tha Dr. Hopkins.

Megjithëse nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunëve, disa vende kanë thënë se po grumbullojnë vaksina kundër lisë, të cilat janë rreth 85% efektive në parandalimin e infeksionit, sepse të dy viruset janë mjaft të ngjashëm.

Nuk është ende e qartë pse po ndodh tani ky shpërthim i papritur.

Një mundësi është që virusi të ketë ndryshuar në një farë mënyre, megjithëse aktualisht ka pak prova që sugjerojnë se ky është një variant i ri.

Një shpjegim tjetër është se virusi e ka gjetur veten në vendin e duhur në kohën e duhur për t’u përhapur ne masë të madhe.

Gjithashtu, lija e majmunëve mund të përhapet më lehtë sesa në të kaluarën, kur vaksina kundër lisë ishte përdorur gjerësisht./BBC