Ilustrim

Nuk duhet të përdoren krema kundër akneve pa konsulta me dermatologë

Një nga shqetësimet më të shpeshta gjatë adoleshencës janë aknet – vlerësojnë dermatologët. 

Por, këto shqetësime janë normale dhe shfaqen si pasojë e ndryshimeve hormonale. Megjithatë, në TikTok janë publikuar shumë video që pretendojnë se aknet munden me u shëru brenda një periudhë të shkurtë kohore (shih këtu, këtu dhe këtu).

Dermatologia Dafina Krasniqi ka thënë se aknet shfaqen sidomos në lëkurë të yndyrshme.

“Në lëkurën tonë ka një shtresë mbrojtëse yndyre kundër faktorëve të jashtëm. Disa individë gjenetikisht kanë lëkurë shumë të yndyrshme. Kjo është veçanërisht e dukshme në fytyrë, shpinë dhe pjesën e sipërme të gjoksit. Poret bllokohen për shkak të sekretimit të tepërt të yndyrës. Mandej  shfaqen si pika të zeza kur shikohen nga jashtë. Këto quhen komedone. Disa janë në formën e një flluske të bardhë. Si rezultat, shfaqen aknet.” – ka thënë Krasniqi.

Ajo ka shtuar se ndonëse aknet i prekin më shumë moshat e adoleshencës, ka edhe raste kur ato i prekin edhe moshat e tjera.

“Shkaqet e shfaqjes së puçrrave të vazhdueshme në fytyrë nuk janë të dukshme, por janë prezente brenda në organizëm. Ata nisin nga yndyra e tepërt në lëkurë, te poret e hapura, bakteriet e jashtme që futen në pore dhe inflamacioni. Nga yndyra e tepërt te një akne e inflamuar, zinxhiri i proceseve që ndodhin krijon edhe aknet të cilat shpeshherë janë kronike.” – ka shpjeguar Krasniqi. 

Janë disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e akneve.

“Pasqyra hormonale jo në balancë, stresi i tepërt, kequshqyerja, duhani për një kohë të gjatë apo cikli menstrual te gratë. Për ketë arsye formohet yndyra e tepërt në lëkurë e sidomos në fytyrë.” – ka thënë Krasniqi.

Ajo, tutje, ka thënë se aknet te gratë shfaqen kur ato kanë telashe hormonale apo me vezore, prandaj duhet të ketë kontrolle të gjinekologu dhe te dermatologu. 

Krasniqi ka alarmuar se përdorimi i gabuar i kremrave mund të shkaktojë komplikime shtesë. 

“Për këtë arsye duhet një kontroll te gjinekologu dhe te dermatologu. Produktet jo të përshtatshme kozmetike mund të bllokojnë poret dhe të shkaktojnë akne. Dietat e varfëra me vitamina, minerale, gjërat e ëmbla, pijet e gazuara, gjërat ushqimore të konservuara etj., po ashtu mund të jenë shkaktare të akneve. Çdo infeksion brenda në organizëm mund të shkaktojë akne. Për këtë arsye preferohet kontrolli te dermatologu, për shkaktarin dhe mundësinë e ruajtjes më të mirë të lëkurës.” – ka thënë ajo.

Është shumë e rëndësishme edhe çështja e ushqimit.

“Ushqimi i duhur, sa më shumë të pijmë ujë. Nëse kemi çrregullime hormonale, duhet me i largu gradualisht gjërat e bylmetit, pasi mund të ndikojë në përkeqësimin e akneve.” – ka thënë tutje Krasniqi.

Ajo ka këshilluar të gjithë pacientët që kanë probleme me akne të pastrojnë fytyrën me produkte të duhura – duke i zgjedhur ato produkte për lëkurë të yndyrshme.

“Largoni produktet që përmbajnë vajra apo vajrat esencialë për fytyrën, pasi mund të ndikojnë në bllokim të poreve dhe në shtimin e akneve. Çdo herë përdorni krem mbrojtës para se të dilni në rrugë, e sidomos në verë, në mënyrë që të mos lejoni diellin t’ju shtojë njollat e akneve. Mbajeni fytyrën tuaj gjithnjë nën kontroll mjekësor dhe në balancë.” – ka thënë tutje Krasniqi.

Nga ana mjekësore, Krasniqi ka thënë se ka raste kur rekomandojnë edhe antibiotik.

“Antibiotikët janë një opsion për trajtimin e akneve, pavarësisht nëse merren nga goja ose aplikohen nga jashtë, edhe me terapi lokale të cilat i përshkruan dermatologu.” – ka shtuar tutje Krasniqi.

Dermatologia Fatime Kokollari ka thënë se nëse aknet janë të vazhdueshme, atëherë pacientët duhet të kosultohen te dermatologu.

“Trajtimi bëhet varëshisht nga lloji dhe shkalla e ashpërsisë së akneve. Zakonisht rekomandohet një pastrues dhe kremë me peroksid i cili lufton bakteriet. Duhet të shmangen produkte me përmbajtje vaji. Në trajtim dermatologjik, hyn peeling kimik, për të hequr shtresën sipërfaqësore të lëkurës dhe për të përmirësuar pamjen e saj, terapia me laser ose dritë që redukton prodhimin e yndyrës e zhduk bakteriet dhe drenimi i cistave, kjo është për rastet më të rënda. Nëse edhe pas këtyre trajtimeve gjendja e lëkurës nuk përmirësohet, atëherë dermatologu përshkruan edhe medikamente të cilat mund të jenë edhe antibiotik.” – ka thënë Kokollari.