Fëmija, Foto: Pixabay

Një virus i rrallë i hepatitit prek fëmijët në BE, ShBA dhe Mbretërinë e Bashkuar

Mjekët po ndihen të shqetësuar lidhur me një formë të re, të panjohur të hepatitit, që po shkakton sëmundje të rënda në disa raste. 

A mos po e luan ndonjë rol këtu pandemia e coronavirusit?

Zyrtarët shëndetësorë në Bashkimin Evropian, SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar po e shqyrtojnë një shpërthim të rasteve të pashpjegueshme të hepatitit tek fëmijët e vegjël. Disa prej tyre kanë qenë të rënda, duke kërkuar transplantim të mëlçisë.

Është shumë e rrallë të hasësh raste serioze të hepatitit tek fëmijët, thotë William Irving, profesor i virologjisë në Universitetin e Nottingham. Ai tha se në vitet normale, rastet e hepatitit tek fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar ka të ngjarë të kenë qenë njëshifëror. Javën e kaluar janë raportuar 60 raste në të gjithë vendin.

“Kjo më duket absolutisht e jashtëzakonshme”, tha Irving. “Unë nuk kam hasur diçka të tillë në praktikën time klinike. Është shqetësuese sepse ne nuk e dimë se çfarë po ndodhë.”

Një inflamacion misterioz i mëlçisë tek fëmijët e vegjël

Të gjithë pacientët e raportuar janë nën moshën 10 vjeç dhe shumë janë nën moshën 5 vjeç. Fëmijët nuk po rezultojnë pozitivë për viruset tipike të hepatitit – A, B, C, D ose E – një situatë kjo të cilën Alastair Sutcliffe, profesor i pediatrisë së përgjithshme në Kolegjin Universitar të Londrës, e quan “shumë të pazakontë”.

Përhapja u raportua për herë të parë nga zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të muajit prilli. Më 19 prill, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njoftoi për raste shtesë në Spanjë, Danimarkë, Holandë dhe Irlandë. Ai gjithashtu raportoi raste të ngjashme në shtetin amerikan të Alabama.

Deri më tani, një vështrim imediat i qendrave të hepatologjisë së fëmijëve në Gjermani nuk zbuloi asnjë rast të ngjashëm me ato të vërejtura nga autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, tha Burkhard Rodeck, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Gjermane për Mjekësinë Pediatrike dhe Adoleshente.

Hepatiti do të thotë inflamacion i mëlçisë dhe ka shumë shkaqe, tha Irving. Mund të rezultojë nga infeksionet e shkaktuara nga viruset dhe toksinat në alkool ose nga probleme, të tilla si obeziteti. Tutje ai shton se megjithëse shkaku i kësaj përhapje specifike është ende e paqartë, besohet gjerësisht se mund të ndërlidhet me adenovirusin.

Adenovirusi mund të jetë një prej shkaktarëve

Mjekët zbuluan se disa nga fëmijët e diagnostikuar me sëmundjen misterioze rezultuan pozitivë për një lloji të veçantë infeksioni adenovirus: Adenovirus 41. Irving tha se Adenovirusi 41 nuk ishte gjetur në të gjitha rastet dhe nuk është kërkuar në të gjitha raste, por është vërejtur në mjaft raste që potencialisht mund të jetë më shumë sesa një rastësi.

Adenovirusi 41 është një infeksion i zakonshëm tek fëmijët e vegjël që zakonisht shkakton pak diarre dhe të vjella, tha Irving, duke shtuar se nuk dihet se është i lidhur me hepatitin.

Mund të ketë diçka të pazakontë në lidhje me këtë adenovirus specifik, tha Irving. Ose mund të jetë duke ndërvepruar me diçka tjetër që po shkakton hepatitin. Ose mund të jetë një agjent infektiv krejt i ri, ose një toksinë, ose një lloj faktori mjedisor, ose një kombinim i të gjitha këtyre mundësive, tha ai.

Po, a mund të jetë i ndërlidhur me COVID-19?

Nëse është i lidhur me COVID-19 mund të jetë prezent po ashtu edhe  në ajër, tha Irving. Është e mundur që disa nga këta fëmijë të kenë qenë me COVID-19, i cili ndikoi në sistemin e tyre imunitar, duke e bërë më të vështirë luftimin e viruseve tipike të fëmijërisë.

Ekzistojnë rezultate të shumta të testimit në dispozicion për 13 rastet e gjetura në Skoci. Nga ata 13, tre rezultuan pozitivë për infeksion COVID-19, pesë rezultuan negativë dhe dy prej tyre e kishin marrë virusin në tre muajt e fundit. Vetëm 11 nga 13 rastet u testuan për adenovirus dhe pesë prej tyre rezultuan pozitiv.

Në ras se infeksioni COVID-19 nuk është rrënja e problemit, efekti i pandemisë në shëndetin e fëmijëve mund të jetë pjesë e tij, tha Irving.

“Ka një grup fëmijësh që kanë qenë kryesisht të mbrojtur, fëmijët shumë të vegjël. Kështu që ata nuk janë ekspozuar ndaj gamës së infeksioneve virusale ndaj të cilave ata normalisht do të ishin ekspozuar,” tha Irving.

“Ne kemi parë këtë dimër nivele shumë më të larta të një sërë infeksionesh me viruse tek fëmijët, përfshirë adenoviruset,” tha ai. “Ndoshta ka diçka në lidhje me faktin se ata kanë pasur dy vjet sterilitet relativ ku nuk po ekspozohen dhe krejt papritur, ata kanë një grumbull të tërë infeksionesh, duke përfshirë adenoviruset me të cilët nuk po merren në mënyrë normale”.

Rritja e rasteve të hepatitit nuk ka nevojë për panik

Sutcliffe tha se një gjë është e qartë: Hepatiti nuk po shkaktohet nga vaksinat COVID-19, sepse fëmijët që e kanë marrë sëmundjen nuk ishin vaksinuar. Ai i paralajmëroi prindërit që të mos shqetësohen.

“Kuptimi im është se shumë [fëmijët me hepatit] janë përmirësuar, gjë që është e zakonshme. Nëse e kufizojmë atë me rrezikun e dështimit të mëlçisë, rreziku është shumë i vogël. Kështu që unë mendoj se nuk do të duhej ta ekzagjerojmë,” tha ai.

Irving tha se ka pritur të shohë shumë raste të tjera të raportuara në javët në vijim pasi autoritetet shëndetësore kanë ndërgjegjësuar dhe kanë filluar ta gjurmojnë përhapjen e këtij infektimi. Fakti që Britania e Madhe e kazbuloi atë e para ka të ngjarë të jetë bërë për shkak të sistemeve rigoroze të raportimit në këtë shtet, tha ai.

“Nuk e kuptoj Alabaman,” tha Irving. “Dua të them, si ndodh që të paraqiten nëntë raste në një shtet dhe asnjë rast nga 49 shtetet e tjera. Diçka e tillë nuk ka kuptim. Mendoj se duhet të jetë një funksion i mbikqyrjes. Mendoj po ashtu se nëse ndodh në Alabama, ai mund të ketë ndodhur edhe diku tjetër. Thjesht ata nuk janë në dijeni për këtë.”/DW