Një multivitaminë ditore mund të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës tek të rriturit e moshuar

Marrja e një multivitamine ditore mund të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës tek të moshuarit gjatë procesit të plakjes, sugjeron një studim i ri, duke ofruar potencialisht një mënyrë “të sigurt, të arritshme dhe të përballueshme” për ta mbrojtur shëndetin njohës/kognitiv.

Studimi, i publikuar në fillim të kësaj jave në American Journal of Clinical Nutrition, tregoi se kur të rriturit mbi moshën 60 vjeç merrnin një multivitaminë çdo ditë, ata dolën dukshëm më mirë në testet e kujtesës, krahasuar me të rriturit që merrnin një placebo (një substancë ose trajtim e krijuar me asnjë vlerë terapeutike) Studiuesit vlerësuan se të rriturit që morën një multivitaminë kishin 3.1 vite më pak humbje të kujtesës, krahasuar me grupin e atyre që kishin përdorur një placebo.

“Shumica e të rriturve janë të shqetësuar për ndryshimet e kujtesës që ndodhin me plakjen,” thotë në një njoftim për shtyp Lok-Kin Yeung, autori i parë i studimit dhe studiuesi postdoktoral në Institutin Taub të Universitetit të Kolumbisë për Kërkimet mbi Sëmundjen e Alzheimerit dhe Plakjen e Trurit. “Studimi ynë sugjeron se plotësimi me multivitamina mund të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe e lirë për të rriturit e moshuar për ta ngadalësuar humbjen e kujtesës”.

Megjithëse studimi ofron prova pozitive mbi ndikimin e multivitaminave në njohje – veçanërisht pasi është studimi i dytë i fundit që e bën këtë – studiuesit pohojnë se përdorimi i multivitaminave nuk duhet të jetë burimi i vetëm i mbështetjes për shëndetin e trurit.

“Suplementet e çdo lloji nuk duhet ta zënë vendin e mënyrave më holistike për marrjen e të njëjtave mikronutriente”, thotë në një njoftim për media Adam Brickman, bashkëautor i studimit dhe profesor i neuropsikologjisë në Kolegjin e Mjekëve dhe Kirurgëve Vagelos të Universitetit të Kolumbisë. “Megjithëse multivitaminat në përgjithësi janë të sigurta, njerëzit duhet të konsultohen gjithmonë me një mjek përpara se t’i marrin ato”.

Përdorimi dhe memoria e multivitaminës

Shumica e të rriturve amerikanë dhe rreth një e treta e fëmijëve marrin një lloj suplementi dietik ose multivitamina-minerale, tregon hulumtimi – dhe ndërsa plotësimi me një multivitaminë zakonisht bëhet për ta promovuar shëndetin e përgjithshëm, është e paqartë se çfarë lloj ndikimi ka përdorimi i multivitaminave në njohje.

Për t’i shqyrtuar efektet e suplementeve të multivitaminës në kujtesën tek të rriturit e moshuar, studiuesit rekrutuan më shumë se 3,500 të rritur të moshës 60 vjeç e lart për ta marrë një suplement multivitaminash ditor – veçanërisht Centrum Silver, dhuruar nga Pfizer, Inc. – ose një placebo për tri vjet.

Pjesëmarrësit u udhëzuan gjithashtu ta bënin një seri testesh të bazuara në ueb çdo vit për ta matur kujtesën dhe njohjen afatshkurtër gjatë tri viteve.

Në fund të vitit të parë, studiuesit zbuluan se të rriturit që kishin marrë një multivitaminë ditore performuan më mirë në testet e kujtesës, krahasuar me të rriturit që kishin marrë një placebo – dhe këto përfitime u ruajtën gjatë studimit tre-vjeçar.

Krahasuar me grupin placebo, studiuesit vlerësuan se të rriturit në grupin e multivitaminave patën rreth tri vjet më pak rënie të kujtesës lidhur me moshën. Mbajtja e kujtesës, funksioni ekzekutiv ose njohja e objekteve të reja, megjithatë, nuk duket të ndikohen nga plotësimi i multivitaminës.

Studimi i ri (COSMOS-web) është pjesë e një sprove klinike më të madhe – Studimi i Suplementit të Kakaos dhe Rezultateve të Multivitaminës (COSMOS) – i udhëhequr nga Spitali Brigham & Women’s dhe Universiteti i Harvardit. Një tjetër studim i fundit i COSMOS, COSMOS-Mind, çoi në rezultate të ngjashme: midis një popullate të studimit prej më shumë se 2,000 pjesëmarrësish, studiuesit identifikuan suplementet multivitamina-minerale gjatë tri viteve “përmirësuan njohjen globale, kujtesën episodike dhe funksionin ekzekutiv tek të rriturit e moshuar”.

Veçanërisht, në të dy studimet e COSMOS, përfitimet e përdorimit të multivitaminave ishin më të mëdha për të rriturit me sëmundje kardiovaskulare, megjithëse është e paqartë pse.

“Ka prova që njerëzit me sëmundje kardiovaskulare mund të kenë nivele më të ulëta të mikronutrientëve që multivitaminat mund t’i korrigjojnë”, thotë Dr. Brickman në një njoftim për media, “por ne nuk e dimë vërtet tani pse efekti është më i fortë në këtë grup”.

Ushqimi i mirë është çelësi për një shëndet më të mirë të trurit

Megjithëse studimi i ri tregon se përdorimi i multivitaminave mund të ketë përfitime pozitive njohëse, nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar pse. “[Studimi] nuk ishte projektuar për të testuar mekanizma specifikë”, thotë Dr. Brickman për Health; Studiuesit gjithashtu nuk shikuan se cilët komponentë specifikë të multivitaminave ishin të dobishëm.

Megjithatë, “ndryshimet delikate në nivelet e mikronutrientëve ose përthithja që ndodh me plakjen normale mund të kontribuojnë në disa nga ndryshimet e kujtesës që shihen zakonisht me moshën”, thotë Dr. Brickman. “Multivitamina mund të plotësojë ose rivendosë disa nga këto nivele në rënie dhe të ketë një ndikim të mëvonshëm në aftësitë e të menduarit”.

Për shkak se multivitaminat janë lehtësisht të disponueshme, të përballueshme dhe përgjithësisht të sigurta, ato mund të jenë një shtesë e qëndrueshme për shumë njerëz, sipas Hailey Crean, themeluese e Hailey Crean Nutrition, LLC. “Një multivitaminë mund t’i ndihmojë [njerëzit] t’i plotësojnë nevojat ditore të mikronutrientëve që mund të mungojnë ose të jenë të ulëta në dietë”, thotë Crean për Health.

Mirëpo njerëzit duhet të vazhdojnë me kujdes kur marrin në konsideratë marrjen e një multivitamine – që përfshin bisedën me ofruesin e tyre të kujdesit shëndetësor përpara se të fillojnë ndonjë suplement të ri dhe të jenë të vetëdijshëm se suplementet e shitura në SHBA nuk janë të rregulluara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, dhe për këtë arsye nuk janë si monitoruara nga afër si medikamente me recetë.

Duhet të theksohet se multivitaminat, kur përdoren, duhet të jenë vetëm një pjesë e vogël e dietës së një personi. “Një multivitaminë është më shumë një rrjet sigurie dhe jo një zëvendësim i lëndëve ushqyese nga ushqimi”, thotë për Health nutricionistja Kelsey Kunik për Zenmaster Wellness.

Në këtë rast, njerëzit duhet të vazhdojnë të konsumojnë një shumëllojshmëri frutash, perimesh, drithërash dhe ushqime të tjera të plota. Përveç kësaj, stërvitja e rregullt, gjumi i mjaftueshëm, menaxhimi i stresit dhe mbajtja e një lidhjeje sociale mund të kontribuojnë gjithashtu në mbështetjen e shëndetit të trurit, dhe këta faktorë nuk duhet të injorohen./Health.com

Përgatiti: Nuhi Shala