Një 30 vjeçar nga Obiliqi, vdes nga COVID-19

Një 30 vjeçar nga komuna e Obiliqit, është raportuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës se ka vdekur si pasojë e infeksionit me COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, nga kjo sëmundje kanë vdekur pesë persona, ndërsa dje u regjistruan tre raste të vdekjes.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (62 vjeç), Obiliq 1 rast (30 vjeç), Podujevë 1 rast (76 vjeç), Prishtinë 1 rast (82 vjeç) dhe Prizren 1 rast (77 vjeç)”, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në raportin ditor.

Më 21 mars 2020 në Kosovë ishte shënuar rasti i parë i vdekjes si pasojë e infeksionit, përderisa rasti i parë i infeksionit u regjistruar më 13 mars në qytetin e Vitisë.

Numri i rasteve të infeksionit ka filluar të rritet ditëve të fundit, sot në nivel vendi janë shënuar 437 raste pozitive përderisa dje u shënuan 461 të tillë.

7,145 raste aktualisht janë aktivë me SARS-CoV-2 në Kosovë.

Infeksioni ka prekur edhe mantelbardhët. Janë mbi 1,200 raste të mjekëve e infermierëve të prekur nga coronavirusi.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

 

Rritet numri i infektimeve me COVID, 437 raste në nivel vendi