Në Radiologji mungon kontrasti, pacientët detyrohen ta blejnë

Klinika e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është duke u përballur me mungesë të një preparati të nevojshëm edhe pse kontrata për blerën e një sasie të tij është nënshkruar para tri jave.

Klinika po përballet me mungesën e kontrastit jo jonik që përdoret gjatë ekzaminimit me Rezonancë Magnetike dhe Tomografi të Kompjuterizuar.

Ky preparat përdoret për të paraqitur pamje të qartë në rezultatet e radiografive.

Si rrjedhojë e mosfurnizimit të klinikës me kontrast, pacientët kanë raportuar në KALLXO.com se  janë të detyruar që ta blejnë vetë.

Në dijeni për mungesën e kontrastit është edhe Drejtori i klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli.

“Për shkaqe juridike të trashëguara, Klinika e radiologjisë QKUK ka pasur probleme serioze në furnizim me kontrast jo jonik me përmbajtje të jodit. Para tre javëve është nënshkruar kontrata për blerjen e një sasie të kontrastit dhe operatori ekonomik ka afat deri 30 ditë të sjellë sasinë e kontraktuar”, ka thënë Gjikolli.

Sipas tij klinika është furnizuar me kontrast vetëm me blerje emergjente por ato janë shpenzuar.

“Në muajt e kaluar… Klinika e radiologjisë është furnizuar me kontrast jojonik të jodit vetëm me blerje emergjente të cilat janë shpenzuar dhe blerë disa herë”, ka thënë ai.

Tutje Gjikolli ka thënë që me përditësimin e listës esenciale presin që ky problem të evitohet.

“Këto probleme janë evituar me përditësimin e listës esenciale të përfunduar javë më parë nga Ministria e Shëndetësisë por kjo do të jap efektin e vet në muajt në vijim”, ka theksuar ai.

Zyra për Informim e QKUK-së po ashtu ka treguar se po presin furnizim me këtë preparat.

“QKUK ju njofton se kontrata për furnizim me kontrast është nënshkruar me datën 14.10.2019, është bërë kërkesa nga menaxheri i kontratës dhe pritet të furnizohemi nga operatori ekonomik i kontrktuar, konform kërkesave që kanë klinikat”,tha QKUK.