Mungesa e furnizimit me barna të COVID-19 rriti çmimet e tyre

Pranvera e këtij viti filloi ndryshe nga ajo që njerëzit kishin menduar. Dita e trembëdhjetë e muajit të tretë të këtij viti dha sinjale se infeksioni ka mbërritur në mesin tonë, kur edhe u shfaq rasti i parë i infeksionit në vend. Që nga ajo ditë e deri më tani mbi 47 mijë qytetarë janë infektuar me COVID-19 përderisa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur.

Klinikat e Infektivës, Klinika e Pulmologjisë, Klinika Interne, Klinika e Mjekësisë Sportive të cilat janë destinuar për pacientët e infektuar me coronavirus si dhe shtatë spitalet rajonale në vend kanë trajtuar pacientë të infektuar me këtë virus.

Familjarët e pacientëve, por edhe vetë pacientët kanë shkruar në KALLXO.com dhe kanë treguar se klinikat dhe spitalet nuk ishin të furnizuara mjaftueshëm me barna dhe detyroheshin t’i blenin vet ato.

Aferdita Ibrahimi rrëfen për KALLXO.com se sa para ka shpenzuar për prindin e saj i cili ka qenë i infektuar me coronavirus.

Ajo thotë se në Klinikën Infektive ku edhe është trajtuar babai i saj kishte vetëm tretës dhe barna për temperaturë.

Babai i saj ishte shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë më 5 tetor ndërsa një ditë pas u transferua në Klinikën e Infektivës në QKUK ku edhe qëndroi deri më 23 tetor.

“Përveç tretjen edhe ndonjë terapie për temperaturë, klinika nuk ka pasë (barna tjera). Fraksiparinë nuk ka pasë. Edhe qeset për kateter i kemi ble. Dy here në ditë Fraksaparin ka përdorur. Është dasht 2 (Fraksiparina) ka 0.4 do të thotë 4 copa në ditë (i kanë blerë) 200 euro Remdesiviri. As alkool s’ka pas”, rrëfen ajo

Mungesa e Fraksiparinës ka kosto të madhe për pacientët ndërsa mungesa në treg ka rritur çmimin në disa prej barnatoreve të vendit.

Ibrahimi thotë se sipas kalkulimeve të bëra, këtu duke përfshirë edhe parkingun për veturë kanë shpenzuar rreth 5 mijë euro.

“Me barna, përfshirë edhe parkingun mund të themë se afro 5,000 euro janë harxhuar”, tregon tutje ajo.

Ndërsa tregon se ka qenë e kënaqur me stafin shëndetësor pasi që, siç thotë ajo, kanë qenë vetëm dy motra në gjithë repartin dhe kanë punuar sipas kapaciteteve të tyre.

Të njëjtin rrëfim për stafin shëndetësor nuk e ka edhe gazetari, Fisnik Dërguti. Ai thotë se për shkak të mostrajtimin adekuat nga ana e mantlbardhëve është detyruar të trajtohet në shtëpi nga mjeku familjar.

“Nga mungesa e trajtimit adekuat në spital kam vendos të kthehem në shtëpi për trajtim të mëtutjeshëm edhe pse e kisha gjendjen e paqëndrueshme.Por në këtë klinikë filloi të më rëndohej gjendja nga trajtimi jo adekuat dhe kjo ishte arsyeja pse vendosa të dal”, thotë Derguti për KALLXO.com.

Dërguti thotë se për tri javë sa kanë marrë tretman mjekësor nga barnat të cilat është dashur t’i përdorë për trajtim të COVID-19, ilaci Favimoli ka qenë me i shtrenjti, ndërsa nga 17 euro në ditë ka blerë Fraksiparinë (Fraxiparin) për veten dhe nënën e tij.

“Favimol i cili ka kushtuar 69 euro një kuti. Fraxiparin 0.6 nga dy në ditë në mëngjes dhe në mbrëmje për mua edhe për nënën dy të cilat kanë qenë 4.30 pra 4 × 4.30=17.20 euro në ditë. Dhe infuzionet dy herë në ditë si dhe shërbimi i teknikut medicinal, pra një kosto e madhe ditore duke përfshi edhe analizat çdo 3-4 ditë”, rrëfen ai.

Ai gjithashtu theksoi se nëpër barnatore kishte lëvizje të çmimeve të barnave herë pas here.

Barna për trajtim të infeksionit COVID-19 bleu edhe Blerim Salihu.

Salihu tregoi për KALLXO.com se ai dhe vëllai i tij në nëntor kishin rezultuar pozitiv me coronavirus dhe se ishin shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë më pastaj në atë të Infektivës në QKUK.

“Fraksiparin kam pirë cdo tetë orë, e kam blerë vetë, këto për gjakë i kemi ble na të gjitha. Edhe vllaut i kanë thënë me i ble (barnat) në Pulmologji. Katedër kemi ble na vetë, deri një mijë euro më ka bo, bashkë me vllaun na u kanë bo dikun dëri në 2 mijë euro për krejt harxhimet”, rrëfen Salihu.

Valbon Krasniqi premton se do të furnizohen me barna

Ushtruesi i Detyrës së Drejtori së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovë, Valbon Krasniqi, në një konferencë për media të mbajtur më 11 dhjetor premtoi se do të sigurohen barna dhe shtretërit për pacientët e infektuar me coronavirus.

“Ne do të sigurojmë të gjitha barnat dhe të gjitha produktet tjera të nevojshme dhe do të sigurojmë shtretër për të gjithë ata që kanë nevojë”, pati theksuar Krasniqi.

Tutje ai pati theksuar se përkundër numrit të lartë të pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore kanë arritur të sigurojnë barna

“Përkundër numrit të madh të pacientëve të shtrirë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka arritur që për të gjithë pacientët që kanë pasë nevojë të shtrihen në spital të ofrojë shërbime shëndetësore të sigurojë të gjitha barnat dhe medikamentet e nevojshme dhe të vazhdojë të furnizojë në mënyrë të rregullt edhe personelin shëndetësor me pajisje mbrojtëse personale anti-COVID”, theksoi Krasniqi.

Furnizimi me vaksinë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenje Sociale të mbajtur  tregoi se 20% e vaksinave kundër COVID-19 do të jepen falas për Kosovë ndërsa pjesën tjetër të vaksinave do t’i blejë Qeveria.

“Vaksinat për 20% të popullatës do të na jepen falas ndërsa për pjesën tjetër të nevojshme për popullatën Qeveria apo Ministria do ta blejë vet. Vaksinën do ta marrin personat sitata më e ndjeshme e popullatës, ata me sëmundje respiratore, kronike, shtatzënat, personat mbi 65 vjet, punëtorët që kujdesen për të prekurit me COVID-19, ata për të moshuarit e disa kategori të tjera”, theksoi Ministri.

Ministri gjithashtu thekso se furnizimi me oksigjen mbetet ende sfidues.

#JetanëKosovë javën e kaluar pati transmetuar emisionin me rrëfime të qytetarëve në kohën sa kanë qenë nëpër klinikat për pacientët me COVID-19, gjithashtu është transmetuar edhe hulumtimi ‘Sallamadia në Infektivë’.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.