Mjekësia Nukleare në QKUK ofron shërbime të reja

Në Klinikën e Mjekësisë Nukleare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është aplikuar metoda me jod radioaktiv për trajtimin e pacientëve të cilët kanë problem me gjëndrën tiroide  – Tireotoksikoze.

“Me fillimin e implementimit të metodës me Jod Radioaktiv, Mjekësia Nukleare ka kompletuar gamën rreth ofrimit të shërbimeve për problemet me gjëndrën tiroide”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Tutje, thuhet se ky shërbim është aktivizuar pas licencimit të Klinikës nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore – AKMRrSB.

“Pas përmirësimit të situatës me Pandeminë COVID-19 dhe furnizimit me materialin e nevojshëm, në Mjekësinë Nukleare ka filluar punën Laboratori i RIA, ku po punohen të gjitha llojet e analizave laboratorike për gjëndrën tiroide si: T3, T4, TSH, AntTPO, AntTG dhe Tg”, bëhet e ditur në njoftim.

ShSKUK ka theksuar se në vitin 2020 ka filluar edhe ekzaminimet për Denzitometrinë e kockave – DEXA, për pacientët që kanë problem me osteoporozë apo humbje të masës kockore.

Pacientët në Mjekësinë Nukleare të QKUK-së nuk do të presin për shërbime pasi në njoftim është bërë e ditur se pacientët do të mund të marrin shërbimin e nevojshëm brenda javës.