Ministria e Shëndetësisë: Me buxhetin e vitit 2023 parashihen 400 pozita të reja për profesionistë shëndetësorë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se me buxhetin e vitit 2023 parashihet shtimi i stafit mjekësor në kujdesin parësor, dytësor dhe tretësor.

Sipas MSh-së në kujdesin parësor do shtohen 300 pozita të reja, kurse në atë dytësor dhe tretësor, 100 pozita.

“E kemi rritur buxhetin për Grantin Specifik për shëndetësi për kujdesin parësor shëndetësor, duke shtuar edhe 300 pozita të reja për profesionistë shëndetësorë. Në kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor do të ketë edhe 100 pozita të reja shtesë për profesionistë shëndetësor”- thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë, ky staf shtesë do të shfrytëzohet për sektorët deficitarë dhe për të plotësuar ato shërbime mjekësore që janë në mungesë për shkak të burimeve njerëzore.

Ministria theksoi se janë siguruar që të buxhetohet plotësimi i të gjitha nevojave në nivelin parësor ashtu që të mos ketë më asnjë Ambulancë të Mjekësisë Familjare të mbyllur pse nuk ka mjekë apo Qendër të Mjekësisë Familjare që nuk ofron shërbime të plota.

Derisa, 42 pozita të reja janë buxhetuar për inspektorët shëndetësor dhe farmaceutik.

Buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2023 do jetë 296 milionë euro.

Buxheti për Ministrinë e Shëndetësinë, rreth 100 milionë euro më shumë se në vitin 2022