Ministria e Shëndetësisë: Kombinimi i vaksinave në Kosovë bëhet që kur ka nisur vaksinimi masiv kundër COVID-19
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se qytetarët që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë: Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech.
Nga Ministria tutje potencohet se që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë u është lejuar me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas.
Në njoftim Ministria thekson se deklaratat e kujtdo se në Kosovë nuk lejohet kombinimi i vaksinave janë të pavërteta.
Reagimi nga ana e Ministrisë erdhi pasi shumë qytetarë ishin në dilema nëse është e sigurt të ndërrohet lloji i vaksinës në dozën e dytë.
Deri sot në Kosovë janë administruar 539 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19, prej tyre 356 mijë janë me dozën e parë dhe 183 mijë me dy dozat.
Në Kosovë janë duke u dhënë dy lloje të vaksinës: Pfizer dhe AstraZeneca.