Mbyllen zyret e Entit të Punësimit në Malishevë, një zyrtar rezulton pozitiv me COVID-19

Inspektorati i Komunës së Malishevës ka mbyllur përkohësisht zyret e Entit të Punësimit, njëri nga zyrtarët e këtij institucioni ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Mbyllja e zyreve është bërë në kuadër të zbatimit të masave anti-covid.

“Zyret e Entit të Punësimit, janë mbyllur me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, si pasojë e situatës emergjente shëndetësore, për shkak të pandemisë së Covid-19”, thuhet në njoftimin e komunës së Malishevës.

Tutje, kanë njoftuar se zyret e Entit të Punësimit do të hapen pasi që të merren të gjitha masat e duhura.

Pandemia COVID-19 ka bërë që shumë institucione në vend të mbyllen në rast se ndonjëri nga punëtorët ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Kosova është duke u ballafaquar me pandeminë e coronavirusit që nga muaji mars i këtij viti, ndërsa për herë të parë kjo pandemi është shfaqur në nëntor të vitit të kaluar.