Kur mua më kafshoi qeni, e sistemin shëndetësor injoranca e mospërfillja për pacientin

Të të sulmojnë qentë në mes të Prishtinës është më se e zakonshme. E të të sulmojnë po të njëjtit, para QKUK-së, është “fat” se e ke dy minuta afër emergjencën  për trajtim. Por, rrallëkush e sheh si jonormale që qentë endacakë të atakojnë para vendit ku ti duhet të ndjehesh e sigurt.

Orët pas orës 17:00 të ditës së mërkurë, janë vetëm disa nga minutat më të gjatë, stresues e tronditës e dëshpërues të një qytetareje të Prishtinës.

Para objektit të Ortopedisë së re, aty ku njerëzit shkojnë me probleme të gjymtyrëve, ikja e furishme nga qentë është lëvizja e fundit që mund të bësh.

Një turmë qensh endacakë fatkeqësisht më sulmuan mua që mund të vrapoj, e fatmirësisht nuk sulmuan dikënd që nuk do të ishte në gjendje të vrapojë ose bërtasë.

Pesë ose gjashtë qen që veç se janë banorë të  oborreve të QKUK-së, për një moment u vërsulen drejt meje, prej të cilëve reaksioni im i parë si një person që i do kafshët, ishte “nuk më sulmojnë, se nuk i ngacmova, e as nuk vrapova.” Por, pas këtyre hamendësimeve, vërsulja e tyre më bëri që të bërtas për ndihmë sa të dëgjohem “në qiellin e shtatë.” Gjithçka çka mbaj në mend nga ai moment është se nga kafshimi i njërit nga qentë në rroba u rrëzova dhe e pashë veten të rrethuar me miq të rinj të cilët fatkeqësisht, mungesa e një strehimore të premtuar në Prishtinë i kishte lënë me barkun zbrazur, e mua më kishin parë si ushqim të tyre.

Fatmirësisht, britma ime kishte mbërritur në veshët e vizitorëve para Repartit të Ortopedisë së Re. Një grua dhe burrë në moshën mesatare, dhe dy djem të rinj, në atë moment u shndërruan në njerëzit më të afërt të jetës time. Aq sa më kujtohet, ata i trembën qentë dhe unë e pashë veten në duart e tyre, me këmbë e duar të përgjakura, me një plagë nga qentë (të cilën vonë e evidentova) e dy plagë nga rrëzimi në tokë, dhe me një tronditje e panik të madhe.

Plagët janë detaji i fundit që e vëren në atë moment, thjesht një psikologji e shkatërruar është plaga më e keqe që mund të marrësh. Pikësëpari nga frika, së dyti nga tronditja dhe së treti nga rreziku që të kaplon në mes të një qyteti që e konsideron shtëpi tënde.

Falë, vullnetit të mirë të njerëzve të mirë që së pari më shpëtuan, u kujdesën për mua, më pastruan sytë, më kapën, m’i mbajtën gjërat e më dhanë kurajon më dërguan deri në ortopedi që të marrë ndihmën e parë. Dy nga ta, dy djemtë, qëndruan me mua e u kujdesën, derisa motra ime erdhi pranë meje.

Vlen të përmendet e të stërpërmendet sjellja e stafit mjekësor karshi kësaj situate. Në një situatë kur nuk je në gjendje të mendosh arsyeshëm, kthjelltë, e je e tronditur, gjëja e fundit që të nevojitet është edhe një sjellje injoruese e stafit mjekësor. Në ortopedi jo që nuk më dhanë ndihmë por e morën aq të parëndësishme, normale sa që më “përzunë” për të marrë ndihmën në emergjencë. Në një situatë si kjo pandemike, kafshimi nga qeni mund të jetë problem i fundit për një mjek i cili kalon me orë të tëra brenda mureve të spitalit, por kjo nuk e arsyeton sjelljen injoruese karshi një personi që është pre i një tronditje, sa e vogël aq edhe e madhe të jetë. Fundja, askush prej qejfi nuk shkon në spital.

E në emergjencë, fjalia e parë që e dëgjon prej sigurimit ishte “Hajt se sen nuk u bo, çdo ditë ka njo e han qishtu”. Situatë e cila ka kaluar në normalitet. E pastaj të ndeshesh me një staf që të lidh plagët ende pa u evidentuar se a janë plagë kafshimi apo gërvishtje të rrëzimit, për të cilat nuk e dija as vet nga tronditja. Gjithçka aq formale, një mbështjellje e plagëve, një konsultim sa “për sy e faqe” me psikiatren dhe mbyllet historia së bashku me hapjen e saj në sportel.

Pastaj, i erdhi koha mjekut që të vijë edhe t’i kontrollojë plagët e mia të mbështjella sa të më japë një raport. Më vonë mësova se mjekët në Emergjencë nuk më dhanë vaksinën kundër tërbimit e cila domosdoshëm merret pas kafshimit të qenit e as nuk më dhanë antibiotik për të mjekuar infeksione të mundshme.

Pas deklaratës në Polici, u ktheva në banesën time në të cilën e vërejta atë që se kishte vërejtur ai që më kishte fashuar plagët, kafshimin e qenit.

Në gjendje paniku, kur ende nuk ke ardhë në vete, merr telefonata nga familjarë e miq që kanë pasur përvoja me mesazh të qartë duhesh të vraposh nëpër qendra të mjekësisë familjare të marrësh një vaksinë kundër tërbimit.

Nga banesa e traumatizuar pa pushuar nisem sërish për në kontrollin e tretë te mjeku. Deri tash të gjithë më kishin injoruar dhe udhëzuar veç “shko në shpi”.

Në Qendër Familjare në Dardani nuk më marrin shumë, tentojnë të më rikthejnë në emergjencë sepse gjoja janë kontrolluar atje.

Pas një insistimi, më kontrollon mjeku i radhës. Këtë herë u evidentua që është kafshim dhe duhet të merret vaksina kundër tërbimit në Infektivë.

Dilema e radhës është të sqarohet se ku të marr vaksinën. Në QKMF më thonë se duhet të kthehem në Klinikën Infektive.

Vrapoj në Infektivë por kot. Në mesin e rasteve me COVID-19, një kafshim i qenit është pikë në oqean. Përgjigja është shumë e thjeshtë “A nuk po na sheh qysh jemi a? Nuk japim vaksina ne këtu”.

Kur kanë kaluar katër orë dhe jam endur në katër klinika e ambulanca e jam kontrolluar nga 4 mjekë e infermierë kthehem në banesë prapë me terapinë e njëjtë “Shko në shpi pusho se të kalon”. Nuk kam marrë antibiotikë, nuk kam marrë as vaksinën e domosdoshme.

Me shumë shqetësim marr telefonatë nga kolegu që ka nënën mjeke dhe e di për rrezikun që mund ta pësoj nga kafshimi i qenve të tërbuar.

Me mirësi në telefon mjekja familjare poashtu nga Prishtina më udhëzon që të shkoj të blej vaksinën në barnatore dhe të shkoj në QKMF e ta marr se kështu lejonjë procedurat.

Përfundimisht në mjekun e pestë familjar marr diagnozën dhe udhëzimin se çka të veproj. Me një kosto prej 17 eurosh e blej vaksinën dhe në orën 23, pas 6 orësh ecje, për 5 minuta vaksinohem në QKMF-në e Prishtinës.

Dilema gjatë tërë natës ishte e thjeshtë: pse në Emërgjencë nuk më than “shko bleje vaksinën” dhe historia do përfundonte aty. Pse duhet pacienti t’i kalojë gjashtë mjekë për ta marrë një terapi kaq të thjeshtë.

Si një 20 vjeçare, pas 20 viteve jetë, prej të cilave shumë pak i kam kaluar spitaleve, e pashë sa të rëndësishëm e të parëndësishëm mund të jenë njerëzit. Në vendin ku duhesh të jesh e sigurt, je më e pasigurta, aty ku duhet të jesh e rëndësishme, je më e parëndësishmja dhe më e keqja njerëzit vazhdojnë ta marrin situatën si të mirëqenë.

Sa do që njerëzve mund t’u dukej pak, një eksperiencë e tillë, nesër për dikë mund të përfundojë me fatalitet ose me pasoja të mëdha fizike e psikologjike.