Kur do të finalizohet ‘Spitali COVID-19’?

Në muajt kur në Kosova filloi të përballet me fluks të lartë të të infektuarve me pandeminë COVID-19, institucionet shëndetësore në vend filluan të përballen me mungesë të kapaciteteve për tejkalimin e kësaj situate.

Mungesa e respiratorëve dhe hapësirave nëpër klinika, testime të ulta për pacientët e dyshuar nga coronavirusi ishin vetëm disa nga problemet me të cilat po përballeshin pacientët.

Në mënyrë që të lehtësohet trajtimi i pacientëve të cilët janë të infektuar me coronavirus, Ministria e Shëndetësisë filloi përgatitjet për ‘Spitalin COVID-19’.

Duke mos treguar se cilin operatorë e kanë përzgjedhur për projektin e këtyre hapësirave, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se kontrata për projektin me operatorin është bërë në tetor.

Tutje, nga MSh thonë se kontrata për projektim dhe mbikqyrje ka kushtuar 380 mijë euro.

“Kontrata për projektim dhe mbikëqyrje me operatorin e kontraktuar në tetor është 380.000 euro. Në ndërkohë, Komisioni për adaptimin e këtyre hapësirave është duke përgatitur termat e referencës për pajisjet dhe infrastrukturën e brendshme spitalore, të cilat do të jenë pjesë e fazës tjetër të tenderimit”, thuhet në përgjigje.

“Nuk dihet ende saktë kur spitali mund të adaptohet në tërësi, meqë procesi është në fazat e projektimit, e as shuma finale sa do të kushtojë krejt adaptimi me kushtin që pas Covid të kthehet në qëllimin fillestar – Klinike Emergjente, por është e sigurt se do të kushtojë bukur shumë, meqë bëhet fjalë për një objekt gjashtë katësh plus përdhesja”, thuhet tutje në përgjigje.

Javëve të fundit Kosova është duke u përballur me një fluks të lartë të të infektuarve. Dje në nivel vendi janë regjistruar 205 raste pozitive me SARS-CoV-2, gjithashtu është rritur edhe numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e infeksionit me coronavirus.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 18,148 raste me COVID-19, prej të cilëve 15,150 janë shëruar ndërsa 666 kanë vdekur.