Foto: REL/MIA

Kur do të bëhen testet serologjike dhe rapide në Ferizaj?

Komuna e Ferizajt do të fillojë t’i bëjë testet serologjike për coronavirus në javën e parë të mujit janar 2021, ndërsa më vonë do të mundësohen edhe testet rapide apo të shpejta për këtë virus.

Përmes testeve serologjike që mat antitrupat qytetarët do të mund të kuptojnë nëse e kanë kaluar infeksionin COVID-19, ndërsa testet rapide detektojnë edhe prezencën aktuale të virusit në trup.

Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Bekim Ademi, tha se fillimisht do të bëhen testet serologjike pastaj ato rapide.

“Po do fillojmë në javën e parë të janarit me këto teste(serologjike dhe rapide). Fillimisht me serologjikun”, konfirmoi Ademi.

Drejtori tutje potencoi se testet janë siguruar nga Ministria e Shëndetësisë.

Qytetarët e Ferizajt testet serologjike dhe ato rapide për COVID-19 do të mund t’i bëjnë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Ferizaj.

“Tek instituti, me ndihmën e puntorëve të QKMF-së”, potencoi ai.

Testet rapide për SARS-CoV-2, janë testime të shpejta, ku qytetarët do të mund të marrin rezultatin më shpejtë se testet molekulare – PCR.

Teste serologjike dhe rapide për coronavirus janë duke u bërë edhe në komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.