Krasniqi: 51 pacientë me COVID-19 në gjendje kritike

Ushtruesi Detyrës së Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, në një konferencë për media tregoi për gjendjen e pacientëve me coronavirus në nivel vendi.

Ai tha se 795 pacientë me SARS- CoV-2 janë duke u trajtuar nëpër spitalet në nivel vendi, ndërsa potencoi se 51 prej tyre janë në gjendje kritike.

“Aspekti i klinik i pacientëve të spitalizuar në spitalet tona dhe QKUK mbetet i rënduar ende, kemi një trend të lehtë të pacientëve që kërkojnë spitalizim. Sot kemi 795 pacientë që janë duke u mjekuar nëpër spitalet tona, 51 prej tyre janë në gjendje kritike. Furnizimi me produkte dhe medikament vazhdon të jetë i qëndrueshëm me gjithë mungesat e herëpashershme”, tregoi Krasniqi.

Instituti Kombëtar i  Shëndetësisë Publike ka njoftuar se brenda 24 orëve në nivel vendi janë regjistruar 385 raste të reja me SARS-CoV-2, ndërsa shtatë pacientë të tjerë kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

48.337 persona janë infektuar me COVID-19 që nga muaji mars i këtij viti, 35.790 janë shëruar ndërsa 1.240 kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.