(Ilustrim) - Foto: Naser Sertolli/KALLXO.com

Komunat ankohen për mungesë të barnave esenciale

Disa komuna të Kosovës janë ankuar se kanë mungesë të barnave që janë pjesë e listës esenciale.

Fatos Aliu përgjegjës në farmacinë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka thënë se janë furnizuar me disa lloje të produkteve nga Ministria e Shëndetësisë, por që ka shumë mungesa të barnave për sëmundje kronike.

“Ne si QKMF-Prishtinë jemi furnizuar me disa lloje të produkteve nga Ministria e Shëndetësisë. Ka shumë mungesa ku bëjnë pjesë tabletat për sëmundje kronike siç janë: diabeti, hipertension, po ashtu ka mungesë të ampullave, infuzioneve si dhe materialit shpenzues medicinal”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, për momentin ka kërkesë të madhe të terapisë për COVID-19.

“Duke e parë edhe rritjen e numrit të pacientëve të infektuar me COVID-19 të cilët kërkojnë shërbime shëndetësore në QKMF dhe njësitë e saj është terapia e trajtimit të këtyre pacientëve ku bënë pjesë: Nacl sol 500 ml dhe 100 ml infuzion, ascorbit amp, b-complex amp, ceftriaxon 1g si dhe materiali medicinal shpenzues siç janë sistemet për infuzion”, shtoi tutje ai.

Furnizimet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë zakonisht janë mujore.

Po ashtu, Selami Xhemaili, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit ka thënë se kanë mungesë të shumë ilaçeve.

“Furnizimi është kryer me datë 20 të këtij muaji për periudhë njëmujore, por ka shumë mungesa të terapisë ampullare. Deri sot janë produkte të pakta që jemi furnizuar, nuk ka fasha, doreza, maska, kanilla, gjilpëra”, shtoi ai.

Sipas tij, në dy muajt e fundit furnizimi me barna ka qenë i mangët.

“Në fillim të shtatorit kanë thënë për furnizim tjetër po presim e këta dy muaj furnizimi i mangët ka qenë”, shtoi tutje ai.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Mitrovicën e Jugut, Erseka Hasanaj-Barani ka thënë se furnizimi me barna është rreth 35 përqind.

“Sa i përket furnizimit me barna dhe material shpenzues furnizimi është rreth 35%, ka mungesë të shumë produkteve nga lista esenciale”, ka thënë ajo.

Hasanaj potencoi se furnizimin e fundit e kanë marrë më 26 gusht.

Kurse, drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka thënë se për momentin janë të furnizuar me barna për pacientët me sëmundje kronike si dhe material shpenzues.

“Për momentin në Komunën e Gjakovës  jemi  furnizuar me barna për pacientët kronik që zakonisht vijnë çdo muaj  si dhe  me material shpenzues sanitar (maska, maska plastike mbrojtëse për fytyrë, dezinfektues, mantela kirurgjik, rroba komplet një përdorimëshe, doreza jo sterile, doreza kirurgjike)”, tha ajo.

Ajo shtoi se shumë shpejt presin të furnizohen edhe me barna për COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dje deklaroi se këto ditë pritet të shpallet tenderi për barna që nevojiten në terapinë për COVID-19.