Klinika Infektive e përgatitur për ‘valën e dytë’ të pandemisë COVID-19

Klinika Infektive apo Klinika për sëmundje ngjitëse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është e përgatitur edhe për fluksin tjetër të përhapjes së pandemisë COVID-19, në rast se ndodh një gjë e tillë.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit së Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj – Berisha, në një përgjigje për KALLXO.com tha se janë të përgatitur të përballojnë çfarëdo fluksi.

“Jemi të gatshëm të përballojmë çfarëdo fluksi, përkundër lodhjes e sfidat që i kemi pas gjatë pandemisë sepse ne jemi betuar që do të jemi pranë pacientëve”, tha Ajazaj – Berisha.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se Klinika Infektive është e gatshme të pres fluksin e dytë të pandemisë COVID-19.

Një nga problemet parësorë në fillim të përhapjes së pandemisë së COVID-19 në vend ka qenë mungesa e respiratorëve, e cila u ndihëmon pacientëve për frymëmarrje, por Ajazaj – Berisha, thotë se tani ShSKUK është e furnizuar me respiratorë.

“Kemi respiratorë, shërbimi Spitalorë ka marrë respiratorë të ri, por varet edhe organizimi i brendshëm nga Shërbimi Spitalorë në rast të përkeqësimit të situatës”, theksoi ajo.

Ajo gjithashtu ka treguar se numri i pacientëve të cilët po kërkojnë spitalizim është në rritje.

Numri total i rasteve pozitive është 16 mijë e 425 raste, 14 mijë e 460 prej tyre janë shëruar ndërsa 650 të tjerë kanë vdekur.

Rritet numri i pacientëve me COVID-19 në Klinikën Infektive