Dr. Afrim Gashi, reumatolog - Foto: KALLXO.com
Këshillat e Mjekut: Përdredhja e qafës dhe trajtimi
Shumë herë ndodh që njerëzit të pësojnë përdredhje të qafës, qoftë edhe duke kryer punët e përditshme.
Kjo sipas reumatologut Afrim Gashi ndodh për shkak të një mbingarkese në tendinat muskulare të qafës nga një forcë më e madhe se ajo e zakonshmja.
“Pacienti ankohet për dhimbje, shtangim apo shtrëngim në pjesën e sipërme të shpinës ose shpatullave. Shumë herë ndodh që pacienti ka dhimbje të kokës në regjionin okcipital (pjesa e pasme e kokës)”, thotë Gashi.
Sipas doktorit, duhet të intervenohet nga profesionistët duke e menaxhuar dhimbjen edhe me metoda tjera.
“Krioterapia (terapi me akull) dhe stimulimi elektrik, gama e butë e lëvizjeve, sforcimi i toleruar, edukimi i pacientit por rëndësi të madhe ka edhe vetëkujdesi apo menaxhimi shtëpiak”, thotë Gashi.
Sipas doktorit, problem tjetër i zakonshëm me qafën është edhe torticollis, e cila është një kthesë jonormale e qafës sepse koka kthehet në anën e muskulit më të gjatë.
“Kjo mund të jetë e lindur apo e fituar dhe në shumicën e rasteve kjo gjendje do të jetë e dukshme kur pacienti provon të kthejë kokën në anën tjetër” thotë Gashi.
Doktori thotë se ka shumë rëndësi që të bëhet trajtimi i foshnjeve të lindura me torticollis duke e bërë edukimin e prindërve, pozicionimin e pacientëve dhe aktivitetin e shtrirjes manuale.
Doktori sygjeron të gjithë pacientët që të mos tentojnë të trajtojnë vetë ndonjë gjendje të tillë pa u konsultuar paraprakisht me mjekun profesionist.